Rrëmbimi i një shtetasi serb/ Kosova i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Beogradit
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje të premten bashkësisë ndërkombëtare që të shtojë presionin ndaj Beogradit, pas plagosjes dhe rrëmbimit të dyshuar të një serbi të Kosovës nga forca të uniformuara serbe në territorin e Kosovës javën e kaluar.
Sveçla vizitoi vendin ku dyshohet se u rrëmbye Millan Vukashinoviqi nga Leposaviqi, pranë kufirit me Serbinë. Dyshohet se Vukashinoviq u plagos dhe më pas u rrëmbye më 1 nëntor në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit, para se të dërgohej në spitalin e Prokuplës dhe më vonë në Qendrën Klinike të Nishit.
“Sot inspektova pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se u rrëmbye shtetasi ynë”, shkroi Sveçla në Facebook, duke bashkëngjitur edhe fotografi. Ai shtoi se, bazuar në të dhënat dhe dëshmitë e siguruara nga autoritetet kosovare, është e qartë se duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, zoti Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe.
Serbia nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me këtë rast as pas një jave. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Serbisë për incidentin, por nuk ka marrë përgjigje.
Një ditë më parë, avokati Ivan Niniq njoftoi se ka ushtruar padi në emër të Dragana Vukashinoviqit, nënës së viktimës, në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple të Serbisë, për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë. Ai tha se, për shkak të heshtjes së shtetit serb deri tani, ai ka ngritur padi kundër personave të panjohur, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ose Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan në vitin 2023.
Në kallëzimin penal, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se Vukashinoviq kishte një histori të gjatë konfliktesh personale me Millan Radoiçiqin, si dhe se “ka arsye të justifikueshme për të besuar se i dëmtuari është rrëmbyer dhe i rrezikohet jeta në rrethana të paqarta”.
Sveçla theksoi të premten se Serbia “po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që zoti Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore, e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj”.
“Apeloj tek bashkësia ndërkombëtare që ta shtojë presionin dhe të ndërmarrë masa ndaj shtetit serb, në mënyrë që të ndëshkojë këtë sjellje destabilizuese, por edhe të parandalojë situata të tjera që do të rrisnin tensionet në rajon”, shtoi ai.
Policia e Kosovës deklaroi dy ditë pas incidentit se kishte marrë në pyetje dëshmitarë okularë, të cilët kishin dhënë informacione se “persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, kishin plagosur dhe rrëmbyer viktimën, dhe më pas e kishin dërguar në territorin e Serbisë”.
Vukashinoviq kishte punuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës. Radio Evropa e Lirë, duke përdorur mjete forenzike për identifikimin e fytyrës, ka vërtetuar se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që kishte pasur, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV nga Serbia.
Gjatë asaj interviste, ai kishte deklaruar se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe, dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presionimeve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi sepse kishte refuzuar të jepte dorëheqje.
“Kanë shpifur për shumë gjëra, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam këtu në Kosovë, e anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai.
