Rritet sërish çmimi i naftës, shkon në mbi 81 dollarë për fuçi
Çmimet e naftës kanë shënuar rritje në hapjen e tregjeve aziatike, për shkak të shqetësimeve në rritje për situatën në Lindjen e Mesme dhe pasigurive lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Nafta Brent, që shërben si pikë referimi për tregun evropian, u ngjit mbi 81 dollarë për fuçi. Në orët e para të tregtimit, Brent u kuotua në 81.64 dollarë për fuçi, me një rritje prej 1.31%, ndërsa nafta bruto amerikane (WTI) u rrit me 1.87%, duke arritur në 78.78 dollarë për fuçi.
Sipas raportimeve, rritja e çmimeve lidhet me tensionet e vazhdueshme rreth Ngushticës së Hormuzit. Irani ka njoftuar sërish kufizime për kalimin e anijeve dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se nuk kanë siguruar një armëpushim në Liban.
Në të njëjtën kohë, bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit në Zvicër vijojnë, por pa shenja të qarta për uljen e tensioneve. Media shtetërore iraniane raportoi se delegacioni i Teheranit ka vendosur si kusht për vazhdimin e negociatave përfundimin e luftës në Liban, duke theksuar se programi bërthamor iranian nuk do të jetë pjesë e diskutimeve.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur paralajmërimet për ndërmarrjen e sulmeve ndaj objektivave të lidhura me Iranin nëse Teherani nuk frenon grupet që mbështet në Liban. Ai gjithashtu ka paralajmëruar Iranin të mos ndërmarrë hapa për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke lënë të hapur edhe mundësinë e vendosjes së tarifave ekonomike në mungesë të një marrëveshjeje.
Analistët vlerësojnë se zhvillimet gjeopolitike në rajon po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë, ndërsa çdo përshkallëzim i mëtejshëm i krizës mund të sjellë luhatje të reja në çmimet e naftës.
