Sulm me dron rus: Zjarr dhe viktimë në Detin e Zi

Sulm me dron rus/ Zjarr në një anije mallrash në Detin e Zi, një i vdekur

Një sulm me dron rus në Detin e Zi ka shkaktuar zjarr në një anije mallrash me flamur panamez, duke lënë të vdekur një anëtar të ekuipazhit dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjetin lundrues.

Sipas zëvendëskryeministrit ukrainas Oleksiy Kuleba, viktima është një kuzhinier 58-vjeçar me shtetësi egjiptiane, ndërsa tetë marinarët e tjerë u shpëtuan.

Ai bëri të ditur se sulmi goditi anijen “Victress”, e cila po lundronte në Detin e Zi me një ekuipazh të përbërë nga shtetas të Egjiptit, Turqisë dhe Indisë.

Marina ukrainase njoftoi se anija ka pësuar dëme të rënda dhe nuk është më në gjendje të vazhdojë udhëtimin e saj.

Kuleba shtoi gjithashtu se gjatë natës Rusia sulmoi edhe dy anije të tjera tregtare me flamujt e Belizes dhe Palaut. Megjithatë, në këto raste nuk u raportuan të lënduar.

Ngjarja vjen në një kohë kur sulmet ndaj infrastrukturës dhe transportit detar në rajonin e Detit të Zi vijojnë të shtojnë shqetësimet për sigurinë e lundrimit dhe tregtisë ndërkombëtare.

Scroll to Top