Kostot e jetesës në Shqipëri po rriten duke i kaluar mesataret europiane, duke sjellë largimin e profesionistëve të huaj.
Rritja e kostove të jetesës, veçanërisht për qiratë dhe çmimet e ushqimeve, të cilat tashmë janë mbi mesataren europiane, po detyron pensionistët e huaj, të cilët kishin zgjedhur Shqipërinë si vendbanim, të largohen.
Sipas të dhënave të INSTAT, grup-mosha mbi 60 vjeç përbën një pjesë të rëndësishme të të huajve në vend. Vitin e kaluar, 3007 persona të kësaj grupmoshe rezultonin me leje qëndrimi në Shqipëri, duke shënuar një rënie prej 15.5% krahasuar me vitin 2023.
Edhe pse numri i përgjithshëm i të huajve me leje qëndrimi është rritur (nga 21,460 në 2023 në 21,940 vitin e kaluar), grup-mosha mbi 60 vjeç ka pësuar tkurrje si në numër, ashtu edhe në përqindje. Ulja e këtij grupi lidhet me lëvizjen e pensionistëve të huaj drejt vendeve të tjera që ofrojnë kushte më të favorshme për qëndrime afatgjata ose kosto më të ulët jetese.
Të dhënat tregojnë se profili i migracionit drejt Shqipërisë po bëhet më aktiv dhe më i ri në moshë, me një ulje të komponentit të “rezidencës së përhershme pas pensionit”.
- Në grup-moshën deri në 19 vjeç, numri është rritur pak, nga 1,891 në 2023 në 1,947 persona në 2024, duke përbërë rreth 9% të totalit të emigrantëve në vend. Kjo kategori përfshin kryesisht fëmijë dhe të rinj që jetojnë në Shqipëri si pjesë e familjeve të huaja ose me prindër që punojnë në vend. Pesha e qëndrueshme e këtij grupi tregon se flukset familjare nuk kanë ndryshuar ndjeshëm.
- Grup-mosha 20–29 vjeç ka shënuar rritjen më të madhe krahasuar me çdo kategori tjetër, duke u rritur nga 3,811 persona në 2023 në 4,356 persona në 2024, me një rritje prej 14%. Kjo moshë zë 20% të totalit të personave të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri. Kjo tregon një zgjerim të ndjeshëm të prurjeve të të rinjve, punonjësve sezonalë apo studentëve, të cilët po e shohin Shqipërinë si destinacion për studime, punë etj.
- Në grup-moshën 30–39 vjeç vihet re gjithashtu një rritje e fortë vjetore prej 11.7%, duke arritur në një numër total prej 5,395 personash në 2024. Kjo grupmoshë zë 24% të totalit të emigrantëve. Kjo moshë përfaqëson kryesisht individë aktivë në tregun e punës, profesionistë që vendosen për periudha të mesme ose afatgjata për arsye ekonomike. Rritja e kësaj grupmoshe tregon se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj në moshë pune, të cilët e shohin vendin si një hapësirë me mundësi punësimi ose investimi.
- Në kategorinë 40–49 vjeç, numri i të huajve arriti në 4,283 persona në 2024, me një zgjerim prej 10%. Edhe kjo grupmoshë përfshin individë aktivë profesionalisht, shpesh me përvojë të konsiderueshme, që mund të punojnë në sektorë si ndërtimi, energjia apo shërbimet financiare.
- Grup-mosha 50–59 vjeç ka shënuar një rënie prej 15%, çka tregon se të huajt e kësaj moshe nuk zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri, ndoshta për shkak të moshës së afrtë të daljes në pension.
