Rritja e të ardhurave buxhetore me 11.7% në 8-mujor

Të Ardhurat Buxhetore Rriten me 11.7% në 8-mujor, një e treta e shtesës nga ndërtimet e reja

Të ardhurat totale të buxhetit për periudhën janar-gusht 2026 arritën në rreth 557.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, të ardhurat u rritën me rreth 58.5 miliardë lekë, ose 11.7%.

Ndikimin më të madh në këtë rritje të të ardhurave e pati taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila kontribuoi me 30% të të ardhurave shtesë. Vala e ndërtimeve, përveçse ka krijuar një lloj varësie të buxheteve të bashkive, tani po afekton edhe buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave paraprake për performancën fiskale:

  • Të ardhurat e arkëtuara nga administrata tatimore dhe doganore arritën në 356.5 miliardë lekë, me një rritje prej 25.1 miliardë lekësh, ose 7.6%, krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar.
  • Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore u realizuan në 191.6 miliardë lekë, 10.5% më shumë se në janar-gusht 2025.
  • Brenda këtij grupi, të ardhurat neto nga TVSH-ja në vend arritën në 56.8 miliardë lekë, me rritje 24.2% në terma vjetorë.
  • Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u regjistruan në 38.6 miliardë lekë.
  • Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 65.5 miliardë lekë, 15.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, me realizim 99.2% të planit.
  • Të ardhurat nga taksat nacionale u regjistruan në 30.6 miliardë lekë, 1.3% më shumë në terma vjetorë dhe 1.5% mbi planin.

Nga fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u mblodhën 134.1 miliardë lekë. Kjo përfaqëson një rritje prej 13.4% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2025 dhe një realizim prej 100.4% të planit.

Në administratën doganore, të ardhurat tatimore arritën në 165 miliardë lekë, 4.4% më shumë se një vit më parë, por me një realizim prej 98.4% të planit. Të ardhurat nga TVSH-ja në import arritën në 108.5 miliardë lekë, 4.2% më shumë se në 8-mujorin e vitit 2025, ndërsa realizimi ndaj planit ishte 97.6%. Nga akciza u arkëtuan 48.3 miliardë lekë, ose 4.5% më shumë në terma vjetorë, me realizim 100.2% të planit. Renta minerare në eksport u regjistrua në 1.3 miliardë lekë, me realizim 103.7% të planit. Ndërsa të ardhurat nga taksat doganore arritën në 6.8 miliardë lekë, 9.1% më shumë se një vit më parë dhe 97.8% të planit.

Shpenzimet e përgjithshme publike për janar-gusht 2026 arritën në rreth 496 miliardë lekë, me rritje vjetore 8.2%.

  • Shpenzimet kapitale arritën në 56.7 miliardë lekë, me një realizim prej 86.3% të planit të periudhës. Krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, ato u rritën me 12.2%, ose rreth 6.2 miliardë lekë.
  • Shpenzimet korente u regjistruan në rreth 439.3 miliardë lekë, duke realizuar 97% të planit dhe duke u rritur me 7.7%, ose rreth 31.3 miliardë lekë, krahasuar me një vit më parë. Brenda tyre, shpenzimet për fondet speciale përbëjnë 42.8% të totalit të shpenzimeve korente.
Scroll to Top