Rritja ekonomike Shqipëri 2024: Shteti mbërrin ekonominë

Titulli: Bie biznesi, për herë të parë në 30 vjet, shteti po mban në këmbë ekonominë.

Ndonëse ekonomia shqiptare ka ruajtur një rritje prej rreth 4% në vitin 2024, duke u mbajtur në nivele të ngjashme me vitet e mëparshme, një analizë më e detajuar e kontribuuesve të kësaj ecurie zbulon një realitet zhgënjyes. Ekonomia nuk mbështetet më tek prodhimi, ndërtimi, tregtia, shërbimet apo industria, por kryesisht nga efekti fiskal i taksave neto dhe shpenzimet publike për pagat e administratës. Ky model rritjeje, i nxitur nga konsumi dhe politika buxhetore, tregon një largim nga baza reale prodhuese.

Për herë të parë në historinë e periudhës pas tranzicionit, shteti ka qenë kontribuuesi më i madh në ekonominë shqiptare në vitin 2024, duke siguruar më shumë se gjysmën e rritjes. Kjo situatë, ku shteti mban mbi shpinë më shumë se gjysmën e rritjes ekonomike, sjell në kujtesë ekonominë socialiste, ku rritja mbështetej te shteti dhe jo te prodhimi real.

Në rezultatin prej 4% të rritjes, taksat neto kanë dhënë ndikimin më të lartë, me 1.97 pikë përqindje. Kontributori i dytë më i rëndësishëm ka qenë sektori i “Administrimit publik dhe mbrojtjes; sigurimit social i detyrueshëm”, me 0.91 pikë përqindje, si pasojë e rritjes së pagave në sektorin publik.

Sipërmarrja private ka kontribuar vetëm me 1.97 pikë përqindje në vitin 2024, një shifër në rënie të ndjeshme nga 3.84 pikë përqindje në vitin 2023, kur ajo përbënte 96% të rritjes së atij viti. Në vitin 2024, sipërmarrja private ka sjellë vetëm 49% të rritjes totale të ekonomisë. Ky është kontributi më i ulët historik i bizneseve, që nga viti 1996, kur INSTAT filloi raportimin e të dhënave (duke përjashtuar vitet 1997 dhe 2020, kur ekonomia pati trend negativ për shkak të krizës së piramidave dhe pandemisë së Covid-19).

Ecuria e PBB-së në vitin 2024 është mbajtur artificialisht më lart përmes rritjes së të ardhurave fiskale, jo përmes rritjes reale të prodhimit apo eksporteve. Të ardhurat nga TVSH dhe akcizat janë rritur, për shkak të çmimeve më të larta dhe konsumit të brendshëm, të nxitur edhe nga turizmi, por kjo nuk përfaqëson domosdoshmërisht rritje të qëndrueshme ekonomike.

Qeveria ka nxitur këtë tendencë përmes politikës së rritjes së pagave në administratën publike për dy vite radhazi, në një përpjekje për të konkurruar me rajonin dhe për të shtyrë sipërmarrjet private të bëjnë të njëjtën lëvizje (edhe përmes pagës minimale). Kjo politikë, pa u shqetësuar shumë për lidhjen me produktivitetin, ka vënë në “siklet” sipërmarrjet prodhuese.

Pasojat po ndihen në ekonomi. Nëse heqim kontributin e shtetit, rritja në vitin 2024 është vetëm 1.97%, nga 3.84% vitin e kaluar, duke qenë niveli më i ulët që nga viti 2013 (përjashtuar vitin e pandemisë).

Një analizë më e detajuar sipas aktiviteteve ekonomike tregon një model të paqëndrueshëm ekonomik, ose rastësor.

  • Sektori i “Ndërtimi”, “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, si dhe “Energjia elektrike, furnizimi me gaz”, të cilët kanë qenë kontribuuesit kryesorë të rritjes deri në vitin 2023, kanë pasur një efekt minimal në vitin 2024.
  • Ndërtimi, një sektor ciklik, duket se ka arritur një maturim të ri, megjithëse ka ende shumë projekte në horizonte. Kontributi i tij në rritje zbriti nga gati një e treta në vitin 2023 në 13% në vitin 2024. Ritmi i lartë i ndërtimeve ka bërë apartamentet më të shtrenjta për vendasit, veçanërisht në kryeqytet, ku çmimi mesatar i banesave ka arritur në rreth 2 mijë euro për metër katror, duke u trefishuar në dy dekada.
  • “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, një sektor i nxitur nga turizmi, ka dhënë një ndikim të kufizuar (8% të rritjes në 2024 nga 23% në 2023). Vlera e shtuar në këtë sektor po rritet shumë më ngadalë se të ardhurat, duke sinjalizuar një efekt më të ulët në ekonomi.
  • Energjia, një sektor i varur tërësisht nga moti, ka pasur një kontribut prej 4% në rritje në vitin 2024, nga 20% në vitin 2023.
  • “Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike”, një tregues i zhvillimit të ekonomisë moderne, u tkurr ndjeshëm në 2024-n, duke dhënë kontribut prej më pak se 1% të rritjes, nga 12% në vitin 2022. Përpjekja e qeverisë për të taksuar rëndë këtë aktivitet në 2024-n, edhe pse dështoi përkohësisht, duket se ka reflektuar në stepjen e tij.
  • “Tregtia me shumicë dhe me pakicë” po jep gjithashtu kontribut të ulët, me 12% të totalit të rritjes. Emigracioni ka ndikuar negativisht në konsum, i cili nuk arrin të rikuperohet plotësisht nga turizmi. Shtrenjtimi i çmimeve, ndërsa ka ndikuar pozitivisht në kontributin e taksave neto, duke shtuar të ardhurat buxhetore, ka ulur fuqinë blerëse të popullatës.

Sektorë të tjerë të rëndësishëm për punësimin, si bujqësia, industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese, kanë dhënë kontribute negative për tre vite radhazi, duke reflektuar vështirësitë strukturore të ekonomisë reale si niveli i ulët i investimeve, kostot e larta të energjisë dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Scroll to Top