Rritje 11% e çmimit të vajit të ullirit: Prodhimi bie, konkurrenca vështirësohet

Rënia e prodhimit rrit deri 11% çmimin e vajit të ullirit

Për shumë zona të vendit sivjet sasia e prodhuar e ullinjve është deri në 50% më pak sesa vitin e kaluar. Fermerë dhe përpunues pohojnë se rënia e prodhimit është ndikuar nga kushtet klimaterike, veçanërisht thatësira e muajve të verës dhe mungesa e mekanizimit për punët në ullishte.

Rënia e prodhimit të ullinjve ka ndikuar në rritjen e çmimit të vajit të ullirit për grumbullim, duke vështirësuar situatën e konkurrueshmërisë në eksport.

Agron Çakalli, drejtues i Federatës Bujqësore në Elbasan, tha se prej fermerëve të zonave të Elbasanit dhe Gramshit vaji po grumbullohet me çmim 700 lekë për litër. Vitin e kaluar, çmimi mesatar i grumbullimit të vajit të ullirit varionte nga 620 deri në 630 lekë për litër, pra nën kufirin prej 650 lekësh. Ndërsa këtë vit, çmimi ka arritur në 700 lekë për litër ose edhe më lart, kryesisht për shkak të rënies së prodhimit. Çmimi i vajit për grumbullim është rritur deri 11%.

Përpunuesit ngrenë shqetësimin se çmimi i vajit të ullirit si lëndë e parë vijon të mbetet më i larta sesa vendet e tjera prodhuese të ullinjve. Sipas tyre, në Greqi dhe Spanjë vaji i ullirit për grumbullim po shitet prej fermerit me çmim nën 5 euro për litër.

“Dikur kemi pasur tregti të qëndrueshme me Greqinë, por prej dy vitesh nuk eksportohet më vaj ulliri atje, pasi çmimi në tregun grek rezulton më i ulët se sa në vendin tonë. Edhe blerësit italianë nuk po vijnë më, sepse çmimi i vajit në Itali është më i lirë”, pohon Çakalli.

Aldo Jolla, përpunues dhe grumbullues në zonën e Dumresë, gjithashtu tha se edhe sivjet çmimi i kërkuar nga fermerët është i pakonkurrueshëm për eksport. Sipas tij, prej fermerëve vaji po kërkohet me çmim 600 deri 650 lekë për litër, teksa prej grosistëve italianë vaji po kërkohet me çmim deri 450 lekë për litër. Në këtë zonë, çmimi i kërkuar është gati në nivelet e vitit të kaluar.

“Çmimi i vajit të ullirit vijon të mbetet i lartë krahasuar me çmimin e vajit të ullirit të prodhuar në Europë. Çmimet variojnë 4.3 euro për litër në Spanjë dhe 4.5 euro për litër në Greqi. Fermeri shqiptar nuk konkurron dot me këto çmime, pasi kostoja e prodhimit për të mbetet e lartë. Ndërsa ne si grumbullues nuk mund të blejmë vaj me këtë çmim, pasi nuk konkurrojmë dot në eksport. Nga mungesa e eksportit rrezikohet të rritet stoku i vajit të fermerëve në shtëpi”.

Përpunuesit rendisin një sërë arsyesh se pse prodhimi vendas nuk arrin të konkurrojë fqinjët. Këtu përfshihen kostot e larta të prodhimit, jo vetëm për shkak të pagave të larta për punonjësit, por edhe nga mekanizimi i ulët që nuk nxit rritjen e rendimentit, mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar nga fermeri (siç ndodh në Greqi, ku shteti subvencionon fermerin 1 euro për litër), si dhe niveli i lartë i informalitetit të shitjeve në vend.

Scroll to Top