“`html
Korriku riktheu në rritje kreditë për shtëpi
Muaji korrik konfirmoi sinjalet e përmirësimit të kreditimit për banesa. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë korrikut, kreditë e reja për shtëpi arritën vlerën e 7 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kjo rritje në korrik ka sjellë një kthim drejt vlerave progresive për kreditë e banesave gjatë këtij viti, pasi ato kishin regjistruar një rënie gjatë gjashtëmujorit të parë. Në total, për shtatë muajt e parë të vitit, sektori bankar ka dhënë 41.9 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi, duke u regjistruar një rritje prej 2.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fillimisht, viti 2023 nisi me një trend rënës për kreditë e banesave, duke krijuar pritshmëri për një frenim pas një cikli disa-vjeçar rritjeje të shpejtë. Ky frenim duket se u ndikua nga masat shtrënguese të vendosura nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, si dhe nga një qasje më konservatore e disa prej bankave, të cilat shprehën shqetësime për një mbinxehje të mundshme të tregut të pasurive të paluajtshme. Megjithatë, duke filluar nga tremujori i dytë, kreditë për shtëpi duket se i janë rikthyer trendit të rritjes, një ecuri kjo e konfirmuar edhe gjatë muajit korrik.
Kreditë për shtëpi po bëhen gjithnjë e më shumë të përqendruara në monedhën vendase, një tendencë kjo e qartësuar në vitet e fundit. Pothuajse 85% e kreditimit për shtëpi gjatë këtij viti është dhënë në lekë. Kreditë në lekë janë rritur me 21%, ndërsa kreditë në euro kanë pësuar një rënie prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e shpejtë e kreditimit në lekë duket se është nxitur nga normat më të favorshme të interesit në monedhën vendase dhe nga politikat më të shtrënguara rregullatore për kreditimin në valutë të huaj për huamarrësit me të ardhura në lekë. Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i lekut ndaj euros ka inkurajuar gjithashtu një pjesë të mirë të huamarrësve të konvertojnë kreditë e tyre në monedhën vendase. Statistikisht, një konvertim i tillë raportohet si kredi e re.
Në fund të muajit korrik, portofoli total aktiv i kredisë për shtëpi arriti në 262.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 13%. Një vit pasi hyri në fuqi paketa rregullatore e Bankës së Shqipërisë, e cila vendosi disa kufizime në treguesit e administrimit të rrezikut të kredisë për shtëpi, duket se këto masa nuk kanë sjellë një shtrëngim drastik të huadhënies në këtë segment. Megjithëse ritmi vjetor i rritjes së kredisë është ngadalësuar, ecuria e muajve të fundit duket se paralajmëron një zgjerim të mëtejshëm të kreditimit për pjesën e mbetur të vitit.
Ekspozimi i sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme mbetet i rëndësishëm dhe në rritje. Të dhënat paraprake për këtë vit tregojnë se çmimet e banesave në Tiranë kanë ngadalësuar rritjen, madje kanë pësuar një rënie të vogël në terma mesatarë. Tregu i banesave në zonën bregdetare, për momentin, vazhdon të jetë më dinamik, me çmime ende në rritje, të mbështetura kryesisht nga investimet e shtetasve të huaj ose jorezidentëve.
“`
