Vrasja e reperit Tupac: Zbardhet misteri 30-vjeçar, dënohet ish-kreu i bandës
Ish-drejtuesi i një bande kriminale, Duane “Keffe D” Davis, është shpallur fajtor për vrasjen e reperit të njohur amerikan Tupac Shakur. Ky dënim shënon një moment historik, pasi është i pari në një prej dosjeve më të bujshme dhe të pazbardhura të Shteteve të Bashkuara.
Juria në Las Vegas e shpalli Davis fajtor për akuzën e vrasjes me armë vdekjeprurëse, lidhur me ngjarjen e 7 shtatorit 1996. Vendimi i jep fund një hetimi gati tre-dekadash, që ka nxitur teori konspirative dhe ka lënë të pazgjidhur një prej mistereve më të mëdha të muzikës hip-hop.
Davis, 63-vjeçar, qëndroi i qetë në sallën e gjyqit gjatë leximit të vendimit dhe njoftoi menjëherë se do ta apelojë çështjen. Ndërkohë, familjarët e Tupac Shakur reaguan me emocione të forta, duke shpërthyer në lot pas vendimit.
Tupac Shakur u vra në moshën 25-vjeçare, në kulmin e karrierës së tij. Ai konsiderohet një nga figurat më me ndikim në historinë e muzikës rap, me mbi 75 milionë albume të shitura në mbarë botën.
Sipas prokurorisë, Davis nuk ishte personi që qëlloi drejtpërdrejt, por ai organizoi sulmin dhe siguroi armën. Arma iu dha nipit të tij, Orlando Anderson, i cili dyshohet se qëlloi nga një automjet në lëvizje. Prokuroria argumentoi se vrasja ishte një akt hakmarrjeje, pas një përleshjeje të ndodhur vetëm pak orë më parë mes Andersonit dhe Tupac Shakur në Las Vegas.
Mbrëmjen e 7 shtatorit 1996, Tupac u qëllua disa herë nga një automjet pranë makinës së tij në Las Vegas. Ai u dërgua në spital dhe ndërroi jetë më 13 shtator 1996.
Vrasja ndodhi në një periudhë të tensionuar për skenën e hip-hopit amerikan, ku rivaliteti mes Bregut Lindor dhe Perëndimor ishte në kulm, dhe konfliktet mes grupeve kriminale Bloods dhe Crips ishin depërtuar fuqishëm.
Për vite me radhë, mungesa e një të arrestuari dhe vendimit gjyqësor bëri që vrasja e Tupac të shndërrohej në një nga çështjet më famshme të pazbardhura në SHBA, duke nxitur dhjetëra teori dhe spekulime.
Një prej provave kryesore kundër Davis ishin deklaratat e tij publike. Ai kishte folur për rolin e tij në ngjarje, duke pranuar se ndodhej brenda automjetit nga ku u kryen të shtënat. Këto deklarata i kishte dhënë edhe në një intervistë sekrete me policinë në vitin 2008, si dhe në librin e tij të vitit 2019, “Compton Street Legend”, e në dalje të ndryshme mediatike.
Mbrojtja e Davis pretendoi se deklaratat e tij ishin ekzagjerime ose histori të sajuara për përfitime personale, shitjen e librit dhe rritjen e famës. Ata argumentuan se nuk kishte prova të mjaftueshme që Davis kishte urdhëruar vrasjen.
Prokuroria, nga ana tjetër, u shpreh se Davis kishte qenë vazhdimisht i qartë për rolin e tij si organizator i sulmit dhe si personi që merrte vendimet brenda bandës South Side Compton Crips. Prania e tij në automjet në momentin e të shtënave e lidhte drejtpërdrejt me vrasjen.
