Në vitin 2025, pritet një rritje e ndjeshme e përdorimit të teknologjisë, me mbi 45% të popullsisë që kryejnë blerje online.
Përdorimi i teknologjisë ka shënuar rritje këtë vit, si në përdorimin e internetit, pajisjeve, ashtu edhe në shërbimet bankare dixhitale dhe blerjet online. Sipas të dhënave të INSTAT, bazuar në rezultatet e anketës “Përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në NjEF dhe individë (TIK)”, në grupmoshën 16-74 vjeç, 87,2% e tyre përdorin internetin. Nga këta, 97,3% e përdorin “disa herë gjatë ditës”.
Për hyrjen në internet, 99,9% e individëve përdorin aparate celularë/telefona inteligjentë (smart), të ndjekur nga pajisje të tjera si Smart TV, lexues librash, ora smart (59,0%), laptop (41,2%), dhe kompjuter/desktop (20,9%). Gjithashtu, 99,1% kryejnë thirrje/video thirrje (përmes Skype, Viber, WhatsApp, etj.).
Nga ana e Ndërmarrjeve Ekonomike Familjare (NjEF) në Shqipëri, 97,7% kanë akses në internet. Nga këto, 92,1% përdorin internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.) dhe 99,3% në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet, etj.).
Aktivitetet që kanë regjistruar rritje më të larta gjatë tre muajve të fundit janë kërkimi i informacionit për të mira dhe shërbime (10,7 pikë përqindje), internet banking (e-banking) (7,7 pikë përqindje) dhe pjesëmarrja në rrjetet sociale (krijim profili, etj.) (5,7 pikë përqindje). Një masë e konsiderueshme prej 99,5% të popullsisë së grupmoshës 16-74 vjeç ka një llogari në platformën dixhitale e-albania.
Mbi 45% e popullsisë së grupmoshës 16-74 vjeç ka kryer blerje “online” në 12 muajt e fundit. Ndër blerjet online, peshën më të madhe e zënë:
- Blerja e rrobave/këpucëve/aksesorëve me 96,5%
- Shërbimet e dërgimit (katering) në shtëpi nga restorantet apo fast food me 61,1%
Të gjitha aftësitë teknologjike apo kompjuterike kanë shënuar rritje. Rritja më e lartë është shënuar në aftësitë lidhur me “Përdorimin e programeve për të edituar foto, video apo fileve audio” me rreth 9,2 pikë përqindje, e ndjekur nga aftësitë lidhur me “Përdorimin e programit të procesimit në ëord” me rreth 8,4 pikë përqindje.
Përdoruesit e internetit në grupmoshën 16-74 vjeç, në tre muajt e fundit, përfaqësojnë 87,2% të popullsisë së studiuar, duke shënuar një rritje prej rreth 1,0 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024. Përdoruesit e shpeshtë të internetit (disa herë gjatë ditës) përbëjnë 97,3% të individëve, të ndjekur nga ata që e përdorin çdo ditë/pothuajse çdo ditë me 2,3% dhe 0,3% ata që e përdorin të paktën një herë në javë.
Në vitin 2025, kontaktet elektronike me autoritetet publike dhe shërbimet publike, si faqet e internetit për detyrimet e qytetarëve (deklarata tatimore, njoftimi për zhvendosje), të drejtat (përfitimet sociale), dokumentet zyrtare (letërnjoftim, certifikatë lindjeje), shërbimet arsimore publike (biblioteka publike, informacione për regjistrime) dhe shërbimet e shëndetit publik, kanë shënuar rritje. Një rritje prej rreth 2,2 pikë përqindje është shënuar për kategorinë “marrje informacioni nga faqet ose aplikacionet e internetit”, ndërsa kategoria “shkarkimi apo printimi i formularëve zyrtarë” ka shënuar rritje me rreth 0,5 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024.
Anketa gjeti se blerjet online janë kryer nga 45,4% e popullsisë së grupmoshës 16-74 vjeç në 12 muajt e fundit (me një rritje prej rreth 3,0 pikë përqindje), dhe 26,1% janë kryer në 3 muajt e fundit (me 5,7 pikë përqindje rritje).
Anketa mbi Përdorimin e TIK në Familje dhe nga individët është një vrojtim statistikor që kryhet nga iNSTAT pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe ka objekt të gjithë individët të grup-moshës 16-74 vjeç me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri.
