25 vite pas 11 shtatorit, rriten ndjeshëm rastet e kancerit te të ekspozuarit në Ground Zero
Gati një çerek shekulli pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, pasojat shëndetësore vazhdojnë të rëndojnë mbi mijëra njerëz që u ekspozuan ndaj ajrit toksik dhe pluhurit në zonën e Ground Zero në New York.
Të dhënat më të fundit nga Programi Shëndetësor i Qendrës Botërore të Tregtisë tregojnë një rritje të jashtëzakonshme të rasteve të kancerit të certifikuara te personat e prekur nga pasojat e sulmeve. Numri i rasteve është rritur nga 3,204 në vitin 2015 në 57,044 në vitin 2026, një rritje prej rreth 1,680% brenda një dekade.
Në këtë grup përfshihen të mbijetuarit e sulmeve, banorë dhe punonjës të Manhatanit të Poshtëm, si dhe zjarrfikës, policë, ekipe shpëtimi dhe persona të tjerë që punuan pranë rrënojave të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Për herë të parë, numri i rasteve të kancerit te të mbijetuarit që jetonin, punonin ose ndiqnin shkollën pranë Ground Zero ka kaluar atë të punonjësve të emergjencave. Sipas të dhënave, 28,913 raste janë regjistruar te të mbijetuarit, krahasuar me vetëm 694 në vitin 2015. Ndërkohë, te zjarrfikësit, policët dhe punonjësit e tjerë të shpëtimit janë regjistruar 28,131 raste.
Ekspertët dhe avokatët që përfaqësojnë personat e prekur paralajmërojnë se numri mund të vazhdojë të rritet, edhe për shkak të plakjes së popullsisë së ekspozuar ndaj toksinave pas sulmeve. Shqetësim të veçantë përbën shfaqja e disa formave të rralla të kancerit.
Deri tani janë regjistruar 82 raste të kancerit të timusit, një sëmundje relativisht e rrallë. Po ashtu, janë evidentuar 591 raste të kancerit neuroendokrin, ndërsa vetëm në periudhën mars-qershor numri i këtyre rasteve te të mbijetuarit është rritur me 6%. Të dhënat përfshijnë edhe 188 burra të diagnostikuar me kancer gjiri, ndërsa 163 persona janë diagnostikuar me kancer të trurit.
Sipas të dhënave të CDC-së, deri në qershor të këtij viti, 67% e 145,275 anëtarëve aktualë të Programit Shëndetësor të Qendrës Botërore të Tregtisë janë certifikuar për të paktën një nga 69 llojet e kancerit që mbulohen nga programi. Në popullsinë e përgjithshme amerikane, përqindja është rreth 40%.
Një pjesë e rritjes lidhet me faktin se shumë prej personave të ekspozuar tashmë janë në fundin e të 50-ave, në të 60-at ose në fillim të të 70-ave, periudha kur rritet edhe rreziku për zhvillimin e sëmundjeve tumorale.
Pasojat e 11 shtatorit nuk kufizohen vetëm te njerëzit që humbën jetën ditën e sulmeve. Sipas të dhënave të cituara nga mediat amerikane, të paktën 9,425 persona kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me pasojat e sulmeve, një shifër më shumë se trefishi i 2,977 viktimave të regjistruara më 11 shtator 2001.
“11 shtatori nuk mbaroi më 11 shtator,” është shprehur avokati Michael Barras, i cili përfaqëson mijëra persona të përfshirë në programin shëndetësor.
Një prej tyre është Leslie Lane, e cila punonte pranë Qendrës Botërore të Tregtisë kur ndodhën sulmet. Ajo kujton se gjatë evakuimit u përball me një re të madhe pluhuri dhe erën e karburantit. Në vitin 2020, Lane u diagnostikua me kancer të timusit. Tumori u hoq me ndërhyrje kirurgjikale dhe, sipas saj, nuk është rikthyer. Për Lane, ekspozimi ndaj ajrit të ndotur pas sulmeve nuk mund të ndahet nga sëmundja që ajo zhvilloi vite më vonë.
Gati 25 vjet pas tragjedisë, të dhënat tregojnë se pasojat shëndetësore të 11 shtatorit vazhdojnë të shfaqen në një numër në rritje njerëzish, duke e kthyer atë tragjedi në një krizë shëndetësore që vazhdon prej dekadash.
