“`html
Turistët në hotele u rritën me 30% në nëntor, Italia kaloi Kosovën
Gjatë muajit nëntor 2025, numri i turistëve që qëndruan në strukturat akomoduese ka shënuar një rritje krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se jo-rezidentët u rritën me 31%.
Sipas publikimit të INSTAT, në nëntor 2025, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe netëve të qëndrimit:
- Vizitorët gjithsej u rritën me 30.0%.
- Vizitorët jo-rezidentë u rritën me 31.0%.
- Vizitorët rezidentë u rritën me 28.0%.
- Net-qëndrimet gjithsej u rritën me 29.8%.
- Net-qëndrimet jo-rezidente u rritën me 32.5%.
- Net-qëndrimet nga rezidentët u rritën me 23.0%.
Vizitorët jo-rezidentë shënuan rritje si në zonat jo-bregdetare (+21.6%) ashtu edhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+29.8%).
Një aspekt i veçantë i muajit nëntor ishte tejkalimi i numrit të vizitorëve nga Italia në raport me Kosovën, e cila zakonisht ka peshën kryesore të turizmit gjatë gjithë vitit në vend. Italia u rendit e para, e ndjekur nga Kosova dhe më pas Gjermania.
Në Nëntor 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë që u akomoduan në Shqipëri vinin nga:
- Italia (19%).
- Kosova (18%).
- Gjermania (9%).
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kontribuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve, ndërsa 43% ishin nga vende të tjera. Këto shifra pasqyrojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 22.2%, krahasuar me 19.5% në nëntor 2024.
Ndërkohë që viti 2025 u mbyll me mbi 12 milionë të huaj që hynë në vend, edhe ky vit pritet të ndjekë një tendencë rritjeje, megjithatë më të moderuar se vitet e mëparshme. Ky ngadalësim mund t’i atribuohet disa faktorëve, si rritja e çmimeve në disa rajone, zhvlerësimi i euros që ka prekur veçanërisht Kosovën, vlerësime më të ulëta në forume dhe blogje nga vizitorët, si dhe një tendencë për tkurrjen e shpenzimeve për shkak të pasigurive gjeopolitike globale.
“`
