“`html
Investimet e operatorëve të komunikimeve u rritën me 12% vitin e kaluar
Operatorët e komunikimeve elektronike kanë shënuar një rritje të investimeve gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), operatorët e shërbimeve celulare dhe fikse kanë investuar rreth 5.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me vitin paraardhës.
Mbështetur në të dhënat e AKEP:
- Gjatë vitit 2025, sipërmarrësit e shërbimeve celulare investuan rreth 2.5 miliardë lekë, 10% më shumë se një vit më parë. Operatori Vodafone Albania raportoi investime në shumën e 1.6 miliardë lekëve, ndërsa One Albania investoi rreth 920 milionë lekë.
- Rreth 90% e vlerës së investimeve të raportuara kanë shkuar në përmirësimin e infrastrukturës së ofrimit broadband nga rrjetet celulare.
Konsumi i shërbimeve celulare tregon një tendencë afatgjatë të përqendrimit tek interneti, ndërsa shërbimet e thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara janë në rënie. Statistikat tregojnë se volumi total i të dhënave të transmetuara në rrjetet celulare vitin e kaluar arriti në afërsisht 260 milionë GB (gigabyte), duke u rritur me 16% krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, një përdorues i shërbimeve celulare konsumoi 10.4 GB në muaj, një tregues ky në rritje me 16% krahasuar me vitin paraardhës.
Rritja graduale e përdorimit të internetit dhe zgjerimi i rrjeteve të teknologjisë 5G kanë bërë që investimet e operatorëve celularë të përqendrohen kryesisht te rritja dhe përmirësimi i kapaciteteve transmetuese të internetit.
Nga ana tjetër, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 3.3 miliardë lekë investime në rrjetet e tyre, një shifër kjo në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë. Edhe në këtë rast, investimet janë kanalizuar kryesisht në përmirësimin e aksesit të shërbimeve broadband (rreth 89% e totalit). Investimet kryesore përfshijnë zhvendosjen e rrjeteve të transmetimit nga teknologjia DSL (me tela bakri) drejt teknologjisë me fibër.
Tregu i shërbimit të internetit me linja fikse ka qenë mjaft konkurrues gjatë dekadës së fundit, sidomos në qendrat e mëdha urbane. Shpejtësia mesatare e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse u rrit më tej gjatë vitit. Numri i pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fiks dhe me shpejtësi mbi 30 Mbps (megabit për sekondë) në vitin 2025 përbënte rreth 89% të totalit, ndërsa një vit më parë ky tregues ishte rreth 84%.
Të ardhurat totale të tregut të komunikimeve elektronike vitin e kaluar arritën në 40.3 miliardë lekë (rreth 400 milionë euro), duke u rritur me 2% krahasuar me vitin 2024. Kjo rritje erdhi kryesisht nga segmenti i shërbimeve celulare. Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, raportuan të ardhura prej 28.95 miliardë lekë, duke u rritur me 3.7% krahasuar me vitin paraardhës. Ndërkohë, volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse zbriti në 11.2 miliardë lekë, me një rënie prej 3.8% krahasuar me një vit më parë.
“`
