Turizmi: Të huajt në hotele shënojnë rritje prej 55.4% në tetor, gjermanët dhe italianët në vend të dytë
Tetori shënoi një rritje të dukshme të vizitorëve të huaj në strukturat akomoduese të vendit, me një rritje prej 55.4% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Statistikat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri total i vizitorëve u rrit me 39.1%, ku vizitorët jo-rezidentë shënuan një rritje prej 55.4% dhe ata rezidentë 5.8%.
Numri i netëqëndrimeve gjithsej u rrit me 17.4%, ku ato jo-rezidentë shënuan një rritje prej 26.0%, ndërsa ato nga rezidentët u ulën me 3.1%. Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat bregdetare (+73.6%) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+54.4%), sipas publikimit të INSTAT.
Një shifër tjetër interesante nga panorama e tetorit ka të bëjë me shtetësinë e vizitorëve. Gjermania ka arritur të jetë në të njëjtin nivel me Italinë, duke u renditur të dyja në vend të dytë me nga 13% të vizitorëve. Kosova vazhdon të mbetet në vend të parë.
Sipas publikimit, në Tetor 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë që u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri ishin nga Kosova (14%), Italia dhe Gjermania (secila me 13%). Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kontribuan përkatësisht me 7% dhe 5% të vizitorëve, ndërsa 48% ishin nga vende të tjera. Këto të dhëna pasqyrojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 31.6%, krahasuar me 27.7% në Tetor 2024.
Shifrat e vjeshtës, sa i takon turizmit, kanë rikthyer një tendencë pozitive pas një vere më të zbehtë. Turoperatorët konfirmojnë se turizmi kulturor është ai që po kryeson rritjen këtë vit. Deri në fund të tetorit, vendin e vizituan 11.1 milionë të huaj.
