Rritje Pagash Sezonale në Turizëm: Deri 1200€/muaj për Pastruese

Sezoni/ Pagat për pastruese arrijnë deri në 1,200 euro, pagesat për zanatet e tjera

Ashtu si një vit më parë, edhe këtë sezon turistik, baret, restorantet dhe hotelet në jug të vendit po përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Kjo situatë ka bërë që për punonjësit sezonale në pozicione si sanitare apo pjatalarëse të ofrohen paga deri në 1200 euro në muaj.

Sipas njoftimeve të agjencive të ndërmjetësimit të punësimit, në zonat turistike si Ksamil, Sarandë dhe Dhërmi po kërkohen punonjës për disa pozicione shërbimi. Kërkesa më e lartë është për sanitare në hotele dhe resorte, me paga që variojnë nga 100 mijë deri në 120 mijë lekë, dhe për pjatalarëse me paga rreth 120 mijë lekë në muaj.

Bizneset në zonën e Shkëmb i Kavajës gjithashtu po kërkojnë punonjës për çadrat në plazh, duke ofruar paga deri në 80 mijë lekë në muaj. Për të gjitha këto pozicione shërbimi, përveç pagës mujore, bizneset ofrojnë edhe akomodim dhe ushqim falas.

Drejtues të agjencive të punësimit pohojnë se këtë vit ofertat nga bizneset janë rreth 20% më të larta krahasuar me një vit më parë.

Albana Uku, drejtuese e një agjencie ndërmjetësimi, thekson se kërkesa për punonjëse sanitare dhe pjatalarëse është përqendruar kryesisht në hotelet e Vlorës, Sarandës dhe zonës së Potamit. Ajo shton se pagat për këto pozicione variojnë nga 800 deri në 1000 euro në muaj.

“Vitin e kaluar kemi pasur një numër të lartë kontratash ndërmjetësimi për punësim sezonal të grave në jug të vendit, madje në disa raste edhe në Durrës. Shumë prej tyre, që më parë emigronin për punë si dado me paga rreth 1000 euro në muaj, e panë më të leverdishëm punësimin sezonal në vend, me paga nga 800 deri në 1000 euro. Tendenca për punësime të grave në jug të vendit është e lartë edhe për këtë sezon turistik. Edhe oferta e bizneseve deri tani është me rritje 20% krahasuar me vjet. Kjo tendencë rritëse pritet të vijojë përgjatë gjithë sezonit turistik. Shumë biznese të shërbimeve po kërkojnë të punësojnë gra vendase për pastrimin apo pjatalarëse. 75% e kërkesës së bizneseve është për punësime të vendasve gjatë sezonit turistik, 25% të kërkesës është për punonjës të huaj,” – pohoi ajo.

Edhe vitin e kaluar, përgjatë sezonit turistik, oferta e bizneseve në jug të vendit për punësime sezonale në sektorin e shërbimeve arriti paga deri në 2500 euro në muaj. Pozicioni më i paguar sipas njoftimeve për punësim ishte për kuzhinierin e përgjithshëm dhe për kuzhinier sushi, me pagë maksimale nga 220 mijë deri në 250 mijë lekë në muaj. Më pak i paguari krahasuar me pozicionet e tjera në Dhërmi ishte shefi i sallës, me pagë mujore nga 120 mijë lekë deri 150 mijë lekë.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, më herët ka deklaruar për “Monitor” se rritja mesatare prej 20% e pagave për punonjësit e sektorit të shërbimeve në bare dhe restorantet e jugut për sezonin 2025, krahasuar me sezonin paraardhës, është pasojë e një ekuilibri të prishur midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Sipas tij, kërkesa është e ulët dhe në shumë raste pa trajnim profesional, ndërsa oferta është e lartë.

Pagat e ofruara nga biznesi për punësime sezonale në bregdet për vitin 2025:

  • Dhërmi – Kuzhinier për sushi: 200,000 – 220,000 lekë/muaj
  • – Picier: 150,000 – 200,000 lekë/muaj
  • – Shef salle: 120,000 – 150,000 lekë/muaj
  • – Kuzhinier: 150,000 – 250,000 lekë/muaj
  • Ksamil – Kamarier: 80,000 – 120,000 lekë/muaj
  • Vlorë – Picier: 200,000 lekë/muaj
  • Qeparo – Barist: 120,000 – 150,000 lekë/muaj
  • – Picier: 1,800 – 2,000 euro/muaj
  • Sarandë – Kuzhinier: 200,000 lekë/muaj
  • Himarë – Sanitare: 80,000 – 100,000 lekë/muaj
  • Qerret – Kamarier bari: 60,000 – 70,000 lekë/muaj
  • Shkëmbi i Kavajës – Menaxher hoteli: 150,000 – 200,000 lekë/muaj

Pagat e ofruara nga biznesi për punësime sezonale në bregdet për vitin 2026:

  • Ksamil – Kamarier: 80,000-120,000 lekë në muaj
  • – Banakier: 120,000 lekë në muaj
  • – Pjatalarës: 100 mijë lekë deri 120 mijë lekë
  • – Sanitare: 100,000 lekë deri 120 mijë lekë
  • Dhërmi: Kuzhinier: 100,000 lekë deri 150,000 lekë
  • – Sanitare: 80,000 lekë në muaj
  • Sarandë: Ndihmës/kamarier : 70 mijë lekë në muaj
  • – Ndihmës/kuzhinier: 100,000 lekë deri 130,000 lekë në muaj
  • – Sanitare hoteli: 10,000 lekë deri 120,000 lekë në muaj.
Scroll to Top