Rrjete Financiare Sekrete Pas Trafikimit Shqiptar të Drogës

Zona e njohur si “Dollari” në Tiranë, dikur një bursë informale këmbimi valutor, shërben sot si mbulesë për operacione financiare të paligjshme. Një pikë këmbimi valutor, “B.Lika, Cimi &Keni”, akuzohet se ka vepruar si bankë informale për grupin e vëllezërve Çopja, të përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine dhe krime të tjera. Hetimet tregojnë se kjo pikë ka shërbyer për ruajtjen dhe transferimin e fondeve kriminale, duke përdorur sisteme si Hawala dhe kriptovaluta, me destinacione të shumta ndërkombëtare.

Pika e këmbimit valutor “B.Lika, Cimi &Keni” është në pronësi të Bashkim Likës dhe Maklen Micit, të cilët janë arrestuar për pastrim parash. Ky fenomen reflekton transformimin e grupeve shqiptare të krimit të organizuar në sipërmarrje globale, të cilat shfrytëzojnë sistemet paralele të qarkullimit të shpejtë të parave jashtë kanaleve zyrtare. Bizneset e këmbimit valutor dhe agjencitë e transfertave të parave dyshohet se funksionojnë si struktura mbështetëse për këto grupe.

Ekspertët e ekonomisë theksojnë se rrjetet kriminale shfrytëzojnë boshllëqe ligjore dhe mekanizma të dobët monitorimi në tregun e këmbimit valutor. Inspektimet nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet tatimore kryhen shpesh në mënyrë formale, duke mos analizuar thellësisht origjinën e fondeve. Kjo ka lejuar aktorët kriminalë të regjistrojnë pika në emër të të afërmve ose të përdorin llogari të ndara për të fshehur transaksionet.

Numri i pikave të këmbimit valutor në Shqipëri është dyfishuar në dekadën e fundit, por tregu mbetet me luhatje të mëdha. Megjithëse këto biznese janë subjekt i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, detyrimet shpesh anashkalohen. Inspektimet kanë zbuluar mungesë raportimesh, shkelje procedurale dhe mangësi në ruajtjen e dokumentacionit. Agjencia e Inteligjencës Financiare i konsideron këto biznese si aktivitete me risk të lartë, por raportimet ndaj tyre janë sporadike.

Hetimet kanë zbuluar përdorimin e sistemit Hawala, një metodë informale transferimi parash me origjinë nga India dhe bota arabe, që funksionon mbi bazën e besimit mes një rrjeti agjentësh. Ky sistem lejon transferimin e parave pa lëvizje fizike, me anë të agjentëve në shtete të ndryshme dhe një kodi unik. Përveç metodave tradicionale, dyshohet se janë transferuar miliona dollarë edhe përmes kriptovalutave. Një grup i dytë, i lidhur me Ervis Ferizajn, akuzohet për transferimin e fondeve nga trafiku i drogës mes Zvicrës dhe Shqipërisë, duke përdorur gjithashtu pika këmbimi valutor dhe sistemin Hawala.

Përfitimet e këtyre rrjeteve vijnë nga komisionet për transfertat, duke ofruar si avantazh kryesor shmangien e gjurmimit dhe kontrollit të origjinës së parave. Faktorë si informaliteti i rritur pas pandemisë, kërkesa për para cash dhe kanale alternative për transferim, së bashku me mekanizmat ligjorë joadekuatë, kanë lehtësuar operimin e sistemeve ilegale. Mungesa e kapaciteteve teknologjike për të monitoruar lidhjet mes valutave virtuale dhe transaksioneve cash, si dhe integrimi i parave të pista në ekonominë formale, mbeten sfida për autoritetet.

Për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, Banka e Shqipërisë po miraton një rregullore të re për pikat e këmbimit valutor, e cila parashikon verifikimin e origjinës së kapitalit, reputacionin e aksionerëve, si dhe kufizimin e vlerave që mund të mbahen cash apo të jenë pjesë e transaksioneve, në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Scroll to Top