Rruga Dragash-Shishtavec bllokuar nga shembja e shkëmbinjve

Shembja e shkëmbinjve bllokon rrugën nacionale Dragash–Shishtavec

Si pasojë e rrëshqitjes së një masivi shkëmbor pranë fshatit Krushev, në territorin e Republikës së Kosovës, është bllokuar rruga nacionale Dragash–Shishtavec.

Sipas informacioneve nga terreni, rrëshqitjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht të dy korsitë e lëvizjes, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor. Situata paraqet rrezik për sigurinë e mjeteve që kalojnë në këtë segment, pasi temperaturat e rritura momentale po shkaktojnë shkrirjen e borës dhe akullit, por edhe shkëputjen e shkëmbinjve.

Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka mbërritur në vendngjarje dhe ka vendosur kunjat e bllokimit, duke sinjalizuar ndalimin e qarkullimit dhe duke parandaluar kalimin e mjeteve në zonën e rrezikuar. Po ashtu, pritet ndërhyrje për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit shkëmbor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative, deri në një njoftim të radhës për normalizimin e qarkullimit.

Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës, pasi lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec.

Scroll to Top