Rrugët në Tiranë: Kontrata e lidhur për lidhjen e Dajtit me rrugën “Myslym Qefalia” me një investim rreth 1 milionë euro
Bashkia e Tiranës ka lidhur së fundmi një kontratë për një investim të rëndësishëm që synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Ky projekt do të adresojë lidhjen mes rrugës Dajti dhe rrugës Myslym Qefalia në zonën e Shish Tufinës (përfshirë rrugët Hasan Lici dhe Sefer Lika).
Vlera e kontratës arrin rreth 98 milionë lekë, ose afërsisht 1 milionë euro, dhe parashikon ndërhyrje në një segment rrugor prej rreth 2.5 kilometrash. Dokumentet e procedurës theksojnë nevojën urgjente për këtë ndërhyrje, duke evidentuar mungesën e pothuajse të gjithë infrastrukturës bazë, duke filluar nga mungesa e trotuareve në pjesën më të madhe të gjatësisë së rrugës.
Analiza e terrenit dhe rilevimi topografik kanë nxjerrë në pah gjendjen ekzistuese të segmentit rrugor, i cili ka një gjatësi prej 2500 metrash dhe një gjerësi që varion nga 2.5 deri në 7 metra. Rruga kufizohet nga rrethime me mur ose gardh, dhe në disa zona ka skarpata me pjerrësi të mëdha. Shtresa e çakallit është dëmtuar, duke sjellë formimin e gropave gjatë kohës me shi, të cilat vështirësojnë kalimin.
Mungesat kryesore të konstatuara në këtë segment rrugor përfshijnë:
- Mungesë kanalizimesh për ujërat e bardha dhe të zeza.
- Mungesë ndriçimi.
- Praninë e linjës së ujësjellësit, me pusetat të matur në trup të rrugës.
- Mungesë hapësirash të gjelbra dhe trotuare për kalimin e këmbësorëve.
- Mungesë parkingu dhe pikash grumbullimi mbetjeve urbane (VGM).
Është bërë kërkesë për azhornimet e të gjitha rrjeteve, të cilat do të merren parasysh gjatë fazës së projektimit. Pritet që ndërhyrja të realizohet brenda 7 muajsh nga lidhja e kontratës.
Ky projekt, sipas Bashkisë, është pjesë integrale e Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili synon rizhvillimin e zonës. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në këtë zonë ka për qëllim një përqasje të integruar të zhvillimit social, kulturor dhe ekonomik, përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve, përfshirë studentët, si dhe mbrojtjen e ambientit.
