Rusia dënon 15 luftëtarë ukrainas me burgim të gjatë
Rusia dënon me burg 15 luftëtarë ukrainas të batalionit “Aidar”
Pesëmbëdhjetë anëtarë të një grupi militant ukrainas janë dënuar nga një gjykatë ushtarake ruse me burgim nga 15 deri në 21 vjet në një koloni penale të sigurisë maksimale, pasi u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në “një organizatë terroriste”.
Prokuroria e Përgjithshme ruse ka bërë të ditur se burrat ishin anëtarë të Batalionit Aidar të Ukrainës dhe ishin kapur në vitin 2022. Gjyqi i tyre u zhvillua me dyer të mbyllura në një gjykatë ushtarake në qytetin jugor rus Rostov-on-Don.
Nga Ukraina nuk pati komente të menjëhershme mbi këto vendime. Avokati i popullit për të drejtat e njeriut në Ukrainë i ka përshkruar më parë procedurat si “të turpshme”.
Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë organizatën ruse Memorial, kanë pohuar se ndjekja penale e këtyre personave përbën një shkelje të konventave të Gjenevës mbi trajtimin e të burgosurve të luftës. Rusia e hedh poshtë këtë, duke argumentuar se akuzat bazohen në aktivitete të dyshuara që datojnë deri tetë vjet para fillimit të luftës në shkallë të plotë mes dy vendeve në vitin 2022. Ata nuk u akuzuan për krime lufte.