Rusia godet Kievin, 9 viktima, dëmtohet manastir i mbrojtur nga UNESCO
Rusia goditi kompleksin e mbrojtur nga UNESCO-ja, Kyiv-Pechersk Lavra, manastirin më të rëndësishëm ortodoks të Ukrainës, gjatë një sulmi intensiv me raketa dhe dronë gjatë natës. Të paktën nëntë persona humbën jetën në të gjithë Ukrainën.
Sulmet ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, duke theksuar dëshirën e tij për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
Si pasojë e sulmeve, një pjesë e kompleksit historik të manastirit u përfshirë nga zjarri, dhe të paktën 13 persona u plagosën në vendngjarje. Autoritetet raportuan dëme të mëdha në të gjithë Kievin si rrjedhojë e një prej sulmeve ajrore ruse më të mëdha që nga fillimi i luftës.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjatë natës 70 raketa dhe 611 dronë kundër Ukrainës, duke shënjestruar kryesisht kryeqytetin Kiev. Edhe qytetet Dnipro dhe Harkiv u goditën.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës raportoi se sulmet ruse vranë pesë punonjës të ekipeve të shpëtimit dhe plagosën të paktën pesë të tjerë në Harkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.
Dhjetëra zjarrfikëse u panë pranë manastirit gjatë mëngjesit, ndërsa zjarrfikësit punuan për të shuar zjarrin brenda dhe jashtë ndërtesës.
Ministri i Jashtëm ukrainas dënoi sulmin rus ndaj manastirit, duke e cilësuar atë si “barbarizëm shtetëror”. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se sulmi “masiv” shkaktoi dëme dhe zjarre pothuajse në të gjitha qarqet e kryeqytetit.
Rusia goditi gjithashtu Studiot Kombëtare të Filmit “Dovzhenko”, një nga studiot më të vjetra të filmit në Ukrainë, e themeluar në vitin 1927 në Kiev, njoftoi ministrja e Kulturës.
