“`html
Rusia akuzon Ukrainën se ka shënjestruar rezidencën e Putinit, Zelensky përgënjeshtron deklaratat e Moskës
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka pretenduar se Ukraina ka shënjestruar një nga rezidencat e presidentit rus, Vladimir Putin. Ai ka deklaruar se Moska do të hakmerret dhe do ta rishqyrtojë qëndrimin e saj në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar si “gënjeshtër” pretendimin se Kievi ka shënjestruar rezidencën në rajonin e Novgorodit, në veriperëndim të Moskës. Ai theksoi se Rusia po përpiqet të minojë bisedimet SHBA-Ukrainë për luftën dhe po “përgatit terrenin për të kryer sulme, me shumë gjasë ndaj kryeqytetit [ukrainas] dhe ndërtesave qeveritare”.
I pyetur për pretendimet e Moskës, presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se për to kishte mësuar nga vetë presidenti rus dhe se kjo e kishte “zemëruar shumë”. “Është një kohë shumë delikate”, u tha Biden gazetarëve, duke iu referuar bisedimeve për paqen në Ukrainë.
Ky pretendim i Rusisë erdhi një ditë pasi Zelensky dhe presidenti amerikan, Joe Biden, thanë se kishte përparim në takimin e tyre, duke theksuar se një marrëveshje e paqes për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare është “më afërt se kurrë”. Moska ka sinjalizuar se nuk është e gatshme të bëjë lëshime të mëdha.
Përmes një deklarate të publikuar më 29 dhjetor, Lavrov pretendoi se Ukraina përdori 91 dronë në atë që ai e quajti “sulm terrorist”, por shtoi se të gjithë u rrëzuan dhe nuk ka pasur raportime për dëme. Lavrov tha se Rusia do të përgjigjet për këtë sulm dhe ka përzgjedhur “caqet dhe kohën” për sulmet hakmarrëse.
Ai tha se, Qeveria e Ukrainës, të cilën e quajti “regjim kriminal i Kievit”, i është kthyer “një politike të terrorizmit shtetëror” dhe se “pozicioni negociues” i Rusisë do të rishqyrtohet, duke mos dhënë detaje të tjera.
Zyrtarët rusë kanë përdorur edhe më herët gjuhë të ngjashme për të përshkruar Qeverinë ukrainase. Presidenti Putin ka pohuar vazhdimisht se Zelensky nuk është një udhëheqës legjitim sepse në Ukrainë nuk janë mbajtur zgjedhjet që ishin paraparë për vitin 2024. Zgjedhjet në Ukrainë janë të ndaluara gjatë kohës së gjendjes së luftës, që është në fuqi që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Lavrov nuk e përmendi emrin e rezidencës, por vendndodhja në rajonin e Novgorodit sugjeronte se bëhet fjalë për një kompleks të mbrojtur në Valdai, një qytezë buzë liqenit. Sipas një hulumtimi të kryer më herët gjatë këtij viti nga Systema, hetuese ruse e Radios Evropa e Lirë, Putin e ka favorizuar këtë rezidencë sesa rezidencat e tjera shtetërore që nga nisja e luftës, për shkak të pyjeve përreth.
Përmes një deklarate, Zelensky e quajti pretendimin e Lavrovit “një tjetër gënjeshtër të Federatës Ruse”, duke shtuar se “është e qartë se për [Rusinë], nëse nuk ka skandal mes nesh dhe Shteteve të Bashkuara dhe në vend të kësaj ka përparim, kjo është një dështim për ta. Sepse ata nuk duan që kjo luftë të përfundojë. Ata mund të detyrohen ta përfundojnë vetëm përmes presionit”.
Disa orë para pretendimit të Lavrovit, Zelensky tha se SHBA-ja i ka ofruar vendit të tij garanci “të forta” sigurie për 15 vjet, si pjesë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës me Rusinë.
“`
