ZYRTARE: Interi dhe Milani bëhen pronarë të stadiumit “San Siro”, Prokuroria nis hetim për mashtrim në ankand në favor të dy klubeve
Interi dhe Milani janë tashmë zyrtarisht pronarë të stadiumit “San Siro”, pasi janë finalizuar procedurat burokratike për transferimin e impiantit nga Komuna e Milanos. Të dy klubet kanë njoftuar sot blerjen, duke sqaruar se kanë paguar edhe një pjesë të shumës për të siguruar pronësinë e stadiumit dhe zonës përreth për shfrytëzim.
Megjithatë, jo të gjitha lajmet janë pozitive. Paralelisht me blerjen e stadiumit, ka nisur edhe një hetim nga Prokuroria Italiane, e cila dyshon se tenderi për shitjen e stadiumit ka qenë i manipuluar për t’i favorizuar dy klubet.
Një grup i quajtur “Si Meazza”, përfaqësuar nga promotori i njohur italian Klaudio Trota, ka deklaruar se ka pasur dëshirë të merrte pjesë në ankandin për blerjen e stadiumit, siç parashikohet nga ligji. Trota ka bërë një denoncim në Prokurori dhe është marrë në pyetje lidhur me këtë çështje. Ai argumenton se procesi i ankandit, i cili filloi më 24 mars dhe përfundoi më 30 prill, përfshirë stadiumin dhe zonën përreth, pati një afat tepër të shkurtër, duke e bërë të pamundur paraqitjen e ofertave të tjera, përveç asaj të përbashkët të Milanit dhe Interit.
Për këtë arsye, është bërë një denoncim për parregullsi në tenderin e shitjes së stadiumit dhe është nisur zyrtarisht një hetim mbi këtë çështje.
