Seanca e Veliajt shtyhet, çështja penale pezullohet

Seanca e dytë paraprake për shqyrtimin e akuzave penale ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë, është shtyrë.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 tetor, në orë 9:00. Shkak i shtyrjes u bë bojkoti i avokatëve, si pasojë e një ngjarjeje të ndodhur para disa ditësh te Gjykata e Apelit.

Në seancë do të shqyrtoheshin akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt, i cili ndodhet në arrest shtëpiak prej 10 shkurtit. Vendimi për këtë çështje pritet të merret në seancën e ardhshme.

Më parë, Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.

Veliaj akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, kanë ndërtuar një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, duke përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, përmes një rrjeti kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, çifti ka përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para të cilat janë përdorur kryesisht për blerje luksoze online nga Ajola Xoxa.

Leave a Comment

Scroll to Top