Sektori Bankar Shqiptar: Rezistent dhe i Gatshëm për të Ardhmen

Sektori bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar dhe i gatshëm përballë sfidave të ardhshme.

Intervistë me Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe anëtar Bordi, Banka Kombëtare Tregtare.

Pritet që marzhet e interesit të bankave të shënojnë një rënie gjatë këtij viti, duke shtuar presion mbi strukturën e kostove të tyre. Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), thekson se ky presion mund të nxisë një përshpejtim të mëtejshëm të procesit të digjitalizimit të shërbimeve bankare.

Ai shprehet se rreziqet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të cilat ndikojnë në ekonominë globale, mund të sjellin një stagflacion global, në varësi të dinamikës, rezultateve dhe efekteve dytësore të konfliktit. Kjo situatë do të ndikojë në procesin e vendimmarrjes së politikanëve monetarë, si në nivel global, ashtu edhe në atë vendas. Z. Pencablıgil thekson rëndësinë që bankat të tregohen më vigjilente, duke pasur parasysh rreziqet e reja që po shfaqen dhe sektorët e prekur.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të bankës suaj gjatë vitit të kaluar dhe cilat ishin, në këndvështrimin tuaj, zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi?

Gjatë vitit të kaluar, banka jonë ka konsoliduar pozicionin e saj si një shtyllë kryesore e sistemit financiar shqiptar. Një nga arritjet tona më të rëndësishme ishte sigurimi i pozicionit të liderit në tregun e kreditimit për individë në mars 2025, një pozitë që e ruajtëm deri në fund të vitit. Paralelisht, vazhduam të kryesojmë me diferencë tregun e depozitave, duke zënë mbi 24% të tij.

Kreditë për biznes shënuan një rritje të ndjeshme në vitin 2025 dhe parashikojmë që kjo prirje të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Një zhvillim tjetër i rëndësishëm ka qenë zbatimi me sukses i kapaciteteve për transfertat SEPA, si dhe harmonizimi më i gjerë i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian. Ky proces përfaqëson një transformim thelbësor për sektorin bankar, duke rritur ndjeshëm sigurinë dhe ndërveprueshmërinë e sistemit tonë vendas të pagesave dhe duke e vendosur të gjithë sektorin në një pozicion më të favorshëm për të operuar në tregun unik europian të pagesave.

Ndërkohë që po vërehet një thellim i digjitalizimit të produkteve dhe shërbimeve bankare, në dy vitet e fundit kemi parë edhe një rritje të numrit të degëve dhe punonjësve në sektorin bankar.

Kur prisni të arrijmë në një fazë të reduktimit të pranisë fizike të bankave dhe zhvendosje në shkallë më të gjerë drejt bankingut digjital?

Rritja e numrit të degëve dhe të punonjësve në sektor lidhet kryesisht me synimin e bankave më të vogla për të zgjeruar mbulimin e tyre gjeografik, si dhe me disa bashkime dhe blerje që kanë ndikuar në këtë prirje. Fatkeqësisht, Shqipëria mbetet ende një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash, pavarësisht përpjekjeve dhe nismave të shumta. Megjithatë, nuk parashikojmë një rritje të mëtejshme të konsiderueshme të numrit të degëve dhe të punonjësve.

Rritja e fundit e numrit të degëve dhe të punonjësve nuk është tregues i dështimit të digjitalizimit; përkundrazi, ajo reflekton një ndryshim të rëndësishëm në natyrën e shërbimeve bankare. Ndërkohë që shërbimet rutinë si depozitimet në cash apo transfertat e thjeshta po kalojnë me shpejtësi drejt kanaleve digjitale – për shembull, transaksionet online në bankën tonë janë rritur me mbi 85% gjatë tre viteve të fundit – kërkesa për këshillim financiar më kompleks, konsulencë për kredi hipotekore dhe financim të specializuar për bizneset është më e lartë se kurrë.

Në perspektivë, digjitalizimi i mëtejshëm do të kontribuojë në optimizimin e strukturave të stafit në sektor.

Në vijim të një cikli konsolidimi që zgjati rreth një dekadë, në vitin 2026, numri i bankave tregtare aktive në Shqipëri pritet të rritet për herë të parë pas 20 vjetësh. Besoni se ndodhemi në fillimet e një cikli të ri zgjerimi të bankave në treg apo në afat të gjatë, sistemi bankar do t’i kthehet përqendrimit dhe konsolidimit?

Ekzistojnë arsye shumë specifike që lidhen me zgjerimin e sektorit bankar për sa i përket numrit të aktorëve. Me hyrjen e një banke investimesh, një banke shtetërore të huaj dhe një banke digjitale, mund të presim si hyrje të reja në treg, ashtu edhe konsolidime të mëtejshme njëkohësisht gjatë fazës së anëtarësimit në Bashkimin Europian, sigurisht në përputhje me qasjen e autoriteteve rregullatore.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë disa kufizime direkte në huadhënien për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale, por sërish kredia në këtë segment vazhdoi rritjen me ritme të larta. Si i vlerësoni rreziqet e lidhura me ekspozimin në tregun e pasurive të paluajtshme dhe si do t’i përballonte sektori efektet e një krize të mundshme në këtë treg?

Vendosja e masave makroprudenciale nga Banka e Shqipërisë në mesin e vitit 2025, konkretisht kufizimet mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së kolateralit dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, ka qenë një ndërhyrje e mirëpritur dhe e domosdoshme. Ndërkohë që rritja e kredisë në segmentin rezidencial mbetet e lartë, këto “tavane mbrojtëse” sigurojnë që kjo rritje të jetë me cilësi të lartë dhe jo me rrezik të lartë.

Mund të thuhet se, nëse do të ndodhte një korrigjim në tregun e pasurive të paluajtshme, sektori bankar shqiptar është në pozicionin më rezistent të tij gjatë dekadave të fundit për të përthithur një goditje të tillë. Sektori është shumë i mirëkapitalizuar, veçanërisht bankat sistemike të cilat mbajnë pothuajse dyfishin e rezervave të kapitalit për të përballuar çdo rrezik të mundshëm.

Cilat mendoni se do të jenë çështjet dhe sfidat kryesore për sektorin bankar për vitin 2026?

Në përputhje me zhvillimet në Europë, marzhet e interesit pritet të tkurren, duke ushtruar presion shtesë mbi strukturën e kostove të bankave, të cilat do të duhet t’i menaxhojnë ato në mënyrë më efikase. Ky presion mund të nxisë një përshpejtim të mëtejshëm të digjitalizimit të shërbimeve bankare.

Rreziqet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, që ndikojnë në ekonominë globale (çmimet e naftës, turizmi, etj.), mund të çojnë në një stagflacion global, në varësi të kohëzgjatjes, rezultateve dhe efekteve anësore të konfliktit. Kjo ka një lidhje të drejtpërdrejtë me procesin e vendimmarrjes së politikanëve monetarë, si në nivel global, ashtu edhe në atë vendas. Bankat duhet të tregohen më vigjilente, duke marrë në konsideratë rreziqet e reja të shfaqura dhe sektorët e prekur.

Scroll to Top