Kapen 215 kg marijuanë në Janinë, arrestohen tre shqiptarë
Departamenti i Antikontrabandës i Nën-drejtorisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimit të Janinës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme droge, duke parandaluar trafikimin e saj të mëtejshëm në territorin grek. Tre shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një femër, janë vënë në pranga lidhur me këtë ngjarje.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për trafik droge, dhunë ndaj punonjësve, drejtim të rrezikshëm të mjetit, dëmtim të përsëritur të pronës së tjetrit dhe shkelje të legjislacionit për të huajt.
Sipas informacioneve, automjeti privat, një fuoristradë, u pikas mëngjesin e djeshëm në aksin kombëtar Janinë – Kozan. Drejtuesja e mjetit ishte një shtetase shqiptare, ndërsa një automjet tjetër lëvizte para saj.
Shoferja, duke mos iu bindur sinjaleve të ndalimit të policisë dhe duke shfrytëzuar kushtet e vështira të motit, përshkoi një distancë të gjatë, duke kaluar nëpër zona të Prefekturës së Grevenas. Ajo u ndalua më në fund në Vovousa, Janinë, nga oficerë policie të Departamentit të Antikontrabandës.
Brenda automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 118 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 215 kg. Gjithashtu, brenda mjetit u konstatua prania e djalit 2-vjeçar të shoferes.
Automjeti, së bashku me 510 euro dhe 2 telefona celularë, të cilët u gjetën në posedim të të arrestuarve, u konfiskuan.
