Sekuestro Armësh në Tiranë: Trafikantët Përdornin Furgon të Loguar

Sekuestrimi i armëve te Myslym Shyri, trafikantët përdornin furgon të loguar

Trafikantët e municioneve dhe armatimeve, të sekuestruara një ditë më parë nga Policia e Tiranës, kanë përdorur si kamuflazh një furgon të loguar me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”.

Mësohet se ky mjet kishte më shumë se një muaj që qëndronte i parkuar në zonë dhe se është mbajtur nën vëzhgim nga efektivë të veshur civilë, për të zbuluar kush hynte dhe kush dilte nga furgoni. Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, si një manovër e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën. Sapo janë konstatuar armët, është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve.

Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore” është në emër të të arrestuarit Eugert Sino. I riu, i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia, ka mohuar të ketë lidhje me armët, duke argumentuar se nuk ka dijeni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The van”. Zbulohet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.

Sekuestrohen:

  • 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper)
  • 1 silenciator
  • 17 krehëra me municion luftarak
  • Celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë
  • Pajisje për bllokimin e valëve
  • Uniforma si të Policisë
  • Sende të tjera të kundërligjshme

Vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se i posedonte. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”.

Në kuadër të këtij operacioni:

  • Është arrestuar shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë.
  • Janë shpallur në kërkim 2 shtetas, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.

Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:

  • 12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”.
  • 6 armë zjarri automatike.
  • 5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper).
  • 1 silenciator.
  • 17 krehëra për armë zjarri të ndryshme.
  • Pjesë të ndryshme armësh zjarri.
  • 15.000 fishekë.
  • 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia.
  • 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë.
  • Pajisje elektronike gjurmuese (GPS).
  • Pajisje për bllokimin e valëve.
  • Pajisje për numërimin e kartëmonedhave.
  • 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Scroll to Top