Sekuestrohen 2.2 kg kokainë në Tiranë, arrestohen dy kushërinj

Tiranë/ Sekuestrohen 2.2 kg kokainë, arrestohen dy kushërinj

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Hallka e parë”. Gjatë këtij operacioni, janë sekuestruar 2 kilogramë e 235 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, të cilët janë kushërinj me njëri-tjetrin.

Operacioni u zhvillua pas marrjes së menjëhershme të informacioneve operative lidhur me dy persona, të cilët dyshohej se transportonin kokainë me qëllim shitjen e saj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë identifikuar automjetin e dyshuar dhe kanë ndjekur lëvizjen e tij deri në vendin e quajtur “Treshi”. Atje, automjeti është ndaluar dhe është kryer kontrolli.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, policia ka gjetur dhe sekuestruar si më poshtë:

  • 2 pako me 2 kg e 235 g kokainë.
  • 1 pistoletë të dyshuar si lodër.

Dy shtetasit e arrestuar, të identifikuar si A. N., 34 vjeç, dhe S. N., 31 vjeç, akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Sipas hetimeve të deritanishme, dy të arrestuarit dyshohet se furnizonin me kokainë individë dhe grupe, të cilët më pas e ndanin lëndën narkotike në doza për ta shpërndarë në zonat “Alliasi” dhe “Oxhaku” të Tiranës.

Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet e dosjes janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top