Sekuestrohen qindra fishekzjarrë në Tiranë, arrestohet 24-vjeçari
Një magazinë fishekzjarrësh është zbuluar në Tiranë, ndërsa pronari i saj, një 24-vjeçar, është arrestuar.
Magazina ndodhej në rrugën “Besim Fagu”, brenda një garazhi, ku u gjetën dhe u sekuestruan qindra koli me fishekzjarrë, të destinuara për shitje.
Njoftimi i policisë:
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Fireworks”, i cili synon ndalimin e përdorimit të lëndëve piroteknike në kundërshtim me rregullat.
Gjatë kontrolleve të shumta, është konstatuar një magazinë në rrugën “Besim Fagu”, ku mbahej një sasi e konsiderueshme fishekzjarrësh për shitje.
Pronari i magazinës është vënë në pranga. Janë sekuestruar qindra koli me fishekzjarrë të modeleve të ndryshme.
Si rezultat i 40 kontrolleve intensive të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e subjekteve që shesin ilegalisht lëndë piroteknike/fishekzjarre, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 4 kanë konstatuar një magazinë në një garazh, në rrugën “Besim Fagu”, Tiranë. Aty mbaheshin qindra koli me fishekzjarre, me qëllim shitjen.
Gjatë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në këtë ambient, është kapur në flagrancë dhe arrestuar pronari i tij, shtetasi I. K., 24 vjeç.
Gjatë kontrollit në magazinë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 gjetën dhe sekuestruan, si provë materiale, qindra koli me mijëra fishekzjarre të modeleve dhe madhësive të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara në aktet në fuqi, pasi do të ndëshkohen konform ligjit. Kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje.
