SEPA: Kursime 71 Milionë Euro për Shqipërinë

Studimi: Hyrja e Shqipërisë në SEPA Kursen 71 Milionë Euro në Vit

Anëtarësimi në Sistemin Evropian të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të sjellë kursime prej më shumë se 71 milionë eurosh në vit për transfertat ndërkombëtare nga dhe drejt Shqipërisë.

Sipas një studimi të kryer nga ekspertë të German Economic Team (GET), një ent konsulence i financuar nga Ministria Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë, reduktimi i kostove për transfertat ndërkombëtare do të arrijë në 62 milionë euro për pagesat e lidhura me tregtinë e jashtme dhe mbi 9 milionë euro për remitancat.

Ky studim ka llogaritur kursimin në kostot dypalëshe të transfertave, duke përfshirë si dërguesit ose marrësit në Shqipëri, ashtu edhe palët e treta jashtë vendit.

Për vitin 2024, volumi i transaksioneve të tregtisë së jashtme të Shqipërisë me vendet e zonës SEPA (duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor që pritet të anëtarësohen bashkë me Shqipërinë) arrinte në 15.2 miliardë euro. Kostoja e vlerësuar e komisioneve të transfertave ishte 0.44% e totalit, ose 67.1 milionë euro. Me hyrjen në zonën SEPA, kjo kosto pritet të ulet në 0.03% të volumit të transaksioneve, rreth 5 milionë euro.

Nga diferenca potenciale prej 62.1 milionë eurosh, studimi vlerëson se pala shqiptare do të kursejë 29.2 milionë euro, ndërsa pala jashtë Shqipërisë rreth 32.9 milionë euro.

Në segmentin e remitancave, studimi vlerëson se volumi i dërgesave nga vendet e zonës SEPA në vitin 2024 ishte 574.4 milionë euro. Kostoja e vlerësuar e transaksionit ishte rreth 2.27% e volumit të tyre, ose 13 milionë euro. Në skenarin e hyrjes në SEPA, kostoja e remitancave pritet të ulet në 3.8 milionë euro, duke sjellë një kursim të pritur prej rreth 9.2 milionë eurosh.

Ky studim mbështetet në shifrat e vitit 2024, pa marrë parasysh rritjen e pritshme të volumit të tregtisë së jashtme apo të remitancave, çka sugjeron se kursimet potenciale nga SEPA mund të jenë edhe më të mëdha.

Përtej uljes së kostove të pagesave ndërkufitare, studimi thekson se implikimet e plota ekonomike afatgjata të përfshirjes në SEPA pritet të jenë më të gjera:

  • Bashkimi me SEPA-n do të ndikojë pozitivisht në marrjen e fondeve nga Plani i Ri i Rritjes së BE-së në afat të mesëm.
  • Do të ndikojë pozitivisht në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE në afat të gjatë.
  • Mund të çojë në rritjen e konkurrencës në tregun vendas të pagesave, duke ulur edhe kostot e transfertave bankare vendase.
  • Një ulje e kostove të transfertave bankare vendase mund të nxisë pranimin e metodave të pagesave jo-cash, të cilat nga ana tjetër do të ulëshin ndjeshëm kostot për pagesat me vlerë të vogël.
  • Rritja e përdorimit të pagesave në kanalet bankare, sidomos ato dixhitale, do të sjellë më shumë transparencë dhe një ulje të ekonomisë informale.
  • Ulja e kostove të dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare do të çonte në rritjen e përdorimit të kanaleve formale.
Scroll to Top