Serbia ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet lokale në Kosovë jo vetëm përmes presionit mbi qytetarët serbë, por edhe në forma të tjera. Në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarninje, Policia e Kosovës ka sekuestruar materiale zgjedhore, duke përfshirë fletëvotime, të cilat shteti serb kishte planifikuar t’i përdorte për të manipuluar procesin zgjedhor, sidomos në komunat ku “Lista Srpska” ndihet më e rrezikuar.
Sipas burimeve, fletëvotimet ishin parashikuar të futeshin fillimisht në Kosovë dhe më pas të hidheshin në kutitë e votimit. Ky veprim vjen pas raporteve të mëparshme për presionin e ushtruar nga Serbia mbi votuesit serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe ish-policë që dhanë dorëheqje në vitin 2022.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka raportuar se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa. Deri në orën 17:00, kanë votuar 32.55% e zgjedhësve, ndërsa votimi mbyllet në orën 19:00.