Sfida më e madhe e biznesit shqiptar pas viteve ’90 do të jetë integrimi në Bashkimin Europian
Nga Florian Zekja, përfaqësues i Manifakturës
Financimi i tranzicionit të bizneseve shqiptare gjatë procesit të integrimit në BE nuk është thjesht një ndihmë, por një domosdoshmëri ekzistenciale. Pa një mbështetje reale financiare, shumë kompani shqiptare do ta kenë të vështirë të përballojnë konkurrencën e tregut të përbashkët evropian dhe kostot e larta të përafrimit me standardet e BE-së.
Rasti i Bullgarisë përbën një precedent të rëndësishëm. Gjatë periudhës së parë programuese pas anëtarësimit (2007–2013), Bashkimi Evropian i akordoi rreth 9 miliardë euro nga Fondet Strukturore dhe të Kohezionit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve u orientua drejtpërdrejt drejt ekonomisë prodhuese, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe mbulimin e kostove të përshtatjes me standardet evropiane.
Vetëm Programi Operacional “Konkurrueshmëria” kishte një buxhet prej rreth 1.16 miliardë euro, nga të cilat rreth 988 milionë euro u financuan nga BE. Mbi 550 milionë euro u shpërndanë si grante të pakthyeshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku sektori i manifakturës përfitoi pjesën më të madhe. Këto fonde u përdorën për modernizimin teknologjik, blerjen e makinerive dhe linjave të reja të prodhimit, ndërsa grantet mbulonin 50–70% të vlerës së investimit.
Një tjetër instrument shumë i rëndësishëm ishte JEREMIE, ku u alokuan 350 milionë euro si garanci për bankat tregtare. Falë këtij mekanizmi u mobilizuan mbi 1 miliard euro kredi për bizneset bullgare, duke ulur ndjeshëm kërkesat për kolateral dhe normat e interesit. Edhe sektori agro-përpunues u mbështet fuqishëm përmes programit SAPARD, nga i cili rreth 135 milionë euro u investuan në fabrikat e përpunimit të qumështit, mishit, peshkut dhe industrinë e ambalazhimit, me qëllim përmbushjen e standardeve të BE-së para anëtarësimit.
Po Shqipëria?
Shqipëria pritet të përfitojë 922.1 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Krahasuar me Bullgarinë, është e kuptueshme që shuma është më e vogël, për shkak të përmasave të ekonomisë. Megjithatë, çështja kryesore nuk është vetëm madhësia e fondit, por mënyra se si ai do të shpërndahet. Aktualisht fondi është planifikuar të ndahet në këtë mënyrë:
- – 429 milionë euro për mbështetjen e buxhetit të shtetit dhe zbatimin e reformave;
- – 265 milionë euro për investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF);
- – 228 milionë euro për kredi me interesa të favorshme, kryesisht për projekte infrastrukturore.
Çfarë do të thotë kjo për biznesin?
Nga kjo skemë nuk rezulton një instrument i qartë me grante direkte për biznesin prodhues, që t’i ndihmojë kompanitë të financojnë transformimin e tyre teknologjik dhe përafrimin me standardet evropiane. Instrumenti kryesor që ofrohet është Garancia Shtetërore, e cila mbulon deri në 70% të kolateralit dhe synon të lehtësojë financimin e investimeve në teknologji, automatizim dhe digjitalizim. Megjithatë, kjo nuk përbën një injektim të drejtpërdrejtë të fondeve publike në ekonomi.
Në praktikë, bankat e nivelit të dytë do të sigurojnë likuiditet me kosto të ulët dhe do ta kreditojnë biznesin me norma interesi të favorshme. Problemi kryesor është se këto kredi nuk mund të përdoren për kapital qarkullues apo për financimin e lëndëve të para, pikërisht aty ku shumë kompani shqiptare po përballen sot me vështirësitë më të mëdha.
Ky është një kufizim serioz për industrinë prodhuese, e cila duhet të përballojë njëkohësisht:
- – zhvlerësimin e euros;
- – rënien e eksporteve;
- – mungesën e likuiditetit;
- – dhe nevojën për investime të reja për të përmbushur standardet e tregut evropian.
Ndërkohë, i vetmi financim i drejtpërdrejtë i parashikuar deri tani është një fond prej rreth 6 milionë eurosh për startup-et. Edhe pse kjo është një nismë pozitive, duhet pranuar se shumica e këtyre bizneseve kanë vetëm 1–3 të punësuar dhe ndikimi i tyre në prodhim, eksporte dhe punësim mbetet i kufizuar.
Nëse e krahasojmë me modelin e ndjekur nga vende si Bullgaria, diferenca është e dukshme. Atje, fondet evropiane u përdorën për të forcuar industrinë prodhuese përpara dhe pas anëtarësimit. Në Shqipëri, deri më tani, mungon një program i qartë dhe ambicioz që të mbështesë drejtpërdrejt manifakturën dhe biznesin prodhues.
Nëse kjo qasje nuk ndryshon, ekziston rreziku që në vitin 2030, kur Shqipëria të jetë shumë më afër tregut të përbashkët evropian, një pjesë e konsiderueshme e industrisë sonë prodhuese të përballet me një konkurrencë të pabarabartë ndaj kompanive evropiane, të cilat prej dekadash janë mbështetur me fonde publike dhe programe të dedikuara për rritjen e konkurrueshmërisë.
Prandaj, Shqipëria ka nevojë për një Program Kombëtar të Tranzicionit të Biznesit, me grante direkte për industrinë prodhuese, mbështetje për kapitalin qarkullues, modernizimin teknologjik dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Vetëm kështu integrimi do të shndërrohet në një mundësi zhvillimi dhe jo në një rrezik për prodhimin vendas.
