Presidenti kolumbian: SHBA bombarduan një fabrikë kokaine në Maracaibo
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bombarduar një strukturë të dyshuar si fabrikë kokaine në qytetin portual Maracaibo, në perëndim të Venezuelës.
Në një postim në rrjetin social X, Petro ka bërë të ditur se, sipas informacioneve që posedon, sulmi ishte urdhëruar nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Ne e dimë që Trump bombardoi një fabrikë në Maracaibo. Kemi frikë se aty përzihej pasta e kokës për të prodhuar kokainë”, ka shkruar ai.
Presidenti amerikan ka përmendur ditët e fundit një sulm tokësor të forcave amerikane në Venezuelë, por pa dhënë detaje për vendndodhjen e saktë. Trump u tha gazetarëve se operacioni kishte ndodhur në “një plazh”, në një zonë me një skelë ku, sipas tij, ankoroheshin anije të ngarkuara me drogë.
Në një deklaratë më të gjatë, Petro vlerësoi se objektivi i sulmit ishte një strukturë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN), një organizatë guerile kolumbiane. Sipas tij, ELN kontrollon pjesërisht prodhimin e kokainës në rajonin e Catatumbo-s, që kufizohet me Venezuelën dhe ndodhet pranë Maracaibos.
“Është thjesht ELN. Me trafikimin dhe dogmatizmin e saj, ELN po lejon pushtimin e Venezuelës”, theksoi Petro.
Qeveria e Venezuelës nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj këtyre deklaratave. Ndërkohë, Uashingtoni ka ushtruar prej muajsh presion ndaj Karakasit, duke akuzuar presidentin venezuelian Nicolas Maduro se kryeson një rrjet të madh të trafikimit të drogës, akuza që Maduro i ka mohuar vazhdimisht.
Sipas autoriteteve amerikane, që nga fillimi i shtatorit forcat e armatosura të SHBA-së kanë kryer rreth 30 sulme ajrore kundër anijeve që dyshohet se transportonin drogë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 107 personave në rajonet e Karaibeve dhe Paqësorit.
