SHBA: Europa “vatër kërcënimesh terroriste” sipas Trump

Administrata Trump e konsideron Evropën një “vatër kërcënimesh terroriste”

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur Evropën në shënjestrën e saj brenda “Strategjisë së re Kombëtare Kundër Terrorizmit”, duke e përshkruar kontinentin si një “vatër kërcënimesh terroriste”. Dokumenti gjithashtu synon “ekstremistët e dhunshëm të krahut të majtë”, ndërsa i kushton rëndësi përballjes me organizatat islamike dhe ideologjinë që, sipas Uashingtonit, nxit terrorizmin modern xhihadist.

Në dokumentin e ri strategjik, Shtëpia e Bardhë identifikon tre kërcënime kryesore për Shtetet e Bashkuara:

  • “Narko-terroristë dhe bandat ndërkombëtare”
  • “Terroristë historikë islamistë”
  • “Ekstremistë të dhunshëm të krahut të majtë, përfshirë anarkistët dhe antifashistët”

Referenca ndaj “ekstremistëve të krahut të majtë” është një nga formulimet më të theksuara të tekstit, duke pasqyruar qasjen e ashpër të administratës Trump ndaj çështjeve të sigurisë dhe politikës së brendshme.

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë përqendrohet te organizatat që SHBA-të i konsideron si eksponentë kryesorë të terrorizmit ndërkombëtar islamik. Këto përfshijnë Al Kaedën, Al Kaedën në Gadishullin Arabik, Shtetin Islamik në Siri dhe Irak, dhe ISIS-Khorasan, dega aziatike e organizatës. Teksti përmend gjithashtu Vëllazërinë Myslimane, të cilën këshilltari i Presidentit Trump, Sebastian Gorka, e përshkroi si “paraardhësen e organizatave moderne xhihadiste”.

Teksti i strategjisë kundër terrorizmit përmban një referencë veçanërisht kritike ndaj Evropës dhe politikave të saj të migracionit. Dokumenti thekson se “këto organizata armiqësore të organizuara mirë shfrytëzojnë kufijtë e hapur dhe idealet e globalizimit me të cilat ato shoqërohen. Sa më shumë përhapen këto kultura të huaja dhe sa më gjatë të zgjasin politikat aktuale në Evropë, aq më shumë terrorizëm do të ketë.”

Sipas Sebastian Gorkës, suksesi i operacioneve ushtarake kundër këtyre organizatave ka çuar në një kërcënim më të përhapur dhe më të vështirë për t’u zbuluar. Ai përmendi si shembull sulmin me kamion në New Orleans gjatë festës së Vitit të Ri 2025. Strategjia e re amerikane synon të ndërpresë burimet e financimit të përdorura për rekrutimin e anëtarëve të rinj.

“Ne duhet të dekurajojmë, duhet të dobësojmë dhe duhet të delegjitimojmë,” tha Gorka, duke shtuar: “Ne e marrim ideologjinë shumë seriozisht.”

Scroll to Top