ArkivaLajmeneutrale

SHBA heq sanksionet për bashkëpunëtorët e Millorad Dodik

Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të premten heqjen nga lista e sanksioneve të katër aleatëve të Millorad Dodik, ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës.

Ky vendim u përshëndet nga Dodik, i cili po synon heqjen e sanksioneve amerikane kundër tij. Dodik është sanksionuar nga SHBA dhe Britania për pengimin e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit dhe nga vende evropiane për rrezikimin e paqes dhe stabilitetit në Bosnje me politikat e tij separatiste.

Dodik iu hoq mandati si president i entitetit serb pas mbajtjes në fuqi të dënimit me një vit burgim dhe ndalimit të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet, për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.

Jellena Pajiq Bastinaq, Danijel Dragiçeviq, Goran Rakoviq dhe Dijana Millankoviq u sanksionuan në janar për ndihmë në organizimin e festimeve të paligjshme të “Ditës së Republikës Sërpska”, të cilën serbët e Bosnjës e shënuan më 9 janar, duke sfiduar vendimin e gjykatës më të lartë të Bosnjës dhe paralajmërimet e vëzhguesve perëndimorë.

Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime për heqjen e këtyre personave nga lista e sanksioneve. Dodik ka angazhuar lobistë në SHBA për të ndihmuar në heqjen e sanksioneve ndaj tij, duke pretenduar se ato ishin të motivuara politikisht.