SHBA: Hetim për Guvernatorin e Minesotës dhe Kryetarin për pengim ICE

Departamenti i Drejtësisë i SHBA nis hetimet ndaj dy demokratëve të Minesotës, Guvernatorit Tim Walz dhe Kryetarit të Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, të cilët akuzohen se po pengojnë policinë e emigracionit.

Dy zyrtarë të njohur demokratë të Minesotës, Guvernatori Tim Walz dhe Kryetari i Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, janë nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për veprime të dyshuara që synojnë pengimin e operacioneve federale të imigracionit. Hetimi ka të bëjë me komente të tyre në lidhje me Imigracionin dhe Doganat (ICE), sipas raportimeve të CBS News.

Ky hetim vjen në një kohë kur një gjyqtar federal ka kufizuar disa taktika që ICE dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit mund të përdorin në Minneapolis, duke ndaluar përdorimin e sprajit me piper dhe arrestimin e protestuesve paqësorë. Ndërkohë, protestat në qytet janë shtuar pas vdekjes së Renee Good, 37 vjeç, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE javën e kaluar.

Detaje të reja rreth vdekjes së Good kanë dalë në dritë të premten. Gruaja nga Minneapolis u gjet nga ndihmësit mjekësorë me të paktën tre plagë nga armë zjarri dhe, sipas raporteve zyrtare të vëzhguara nga CBS, mund të ketë pasur edhe një të katërt në kokë.

Guvernatori Walz, duke iu përgjigjur lajmit për hetimin, ka postuar në platformën X: “Armatosja e sistemit të drejtësisë kundër kundërshtarëve tuaj është një taktikë autoritare”. Ai shtoi: “I vetmi person që nuk po hetohet për të shtënat me armë ndaj Renee Good është agjenti federal që e qëlloi atë”.

Në një deklaratë për BBC, kryebashkiaku Frey ka thënë: “Nuk do të frikësohem”. Ai shtoi: “Ky është një përpjekje e qartë për të më frikësuar mua, që po mbroj Minneapolis-in, forcat tona të rendit lokale dhe banorët tanë kundër kaosit dhe rrezikut që kjo administratë ka sjellë në rrugët tona”.

BBC ka kontaktuar Departamentin e Drejtësisë për të marrë komente rreth këtij hetimi të dukshëm. Më herët, Guvernatori u ka kërkuar banorëve të Minesotës të protestojnë në mënyrë paqësore, ndërsa anëtarë të administratës Trump e kanë akuzuar atë për përdorimin e retorikës nxitëse, duke e përshkruar ICE-në si një “Gestapo të ditëve moderne”. Frey, nga ana tjetër, ka kërkuar që agjentët e imigracionit të largohen nga Minneapolis.

Hetimi përqendrohet në një statut federal, 18 USC § 372, i cili e konsideron krim që dy ose më shumë persona të komplotojnë për të penguar zyrtarët federalë të kryejnë detyrat e tyre zyrtare përmes “forcës, frikësimit ose kërcënimeve”, sipas një zyrtari amerikan të cituar nga CBS.

Scroll to Top