WSJ: SHBA ndihmon anijet e naftës të kalojnë Hormuzin, duke i shpëtuar nga zbulimi iranian
Në një periudhë kur mungon ende një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin dhe për të rihapur plotësisht Ngushticën e Hormuzit, Shtetet e Bashkuara kanë nisur një operacion të fshehtë për të ndihmuar anijet e naftës të kalojnë këtë rrugë ujore jetike pa u diktuar.
Sipas një hetimi të prestigjiozes Wall Street Journal, anijet e mëdha të karburantit po përdorin taktika të pazakonta: ato fikin sistemet e tyre të gjurmimit, dritat dhe transmetuesit e Sistemit Automatik të Identifikimit (AIS) gjatë natës. Kjo ndërprerje e plotë e komunikimit elektronik i bën tankerat pothuajse të padukshëm për radarët dhe forcat iraniane, duke ulur ndjeshëm rrezikun e sulmeve.
Pronarë anijesh i konfirmuan gazetës se gjatë gjithë tranzitit të rrezikshëm, ata qëndrojnë në kontakt të ngushtë dhe të fshehtë me ushtrinë amerikane. Forcat e SHBA-së po përdorin radarë të avancuar, dronë dhe mjete të tjera inteligjente për të monitoruar trafikun, duke i udhëzuar anijet se kur duhet të “zhduken” nga sistemet e navigimit dhe si të veprojnë përballë kërcënimeve direkte nga Teherani.
