SHBA shtrëngon masat për vizat për personat që punojnë për kundërshtarët e saj; Ambasada amerikane në Tiranë ndan mesazhin e Sekretarit të Shtetit
Ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë në rrjetet sociale mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me kufizimet e vizave për 75 anëtarë dhe bashkëpunëtorë të kartelit meksikan të drogës “Sinaloa”.
“Departamenti i Shtetit po shtrëngon masat ndaj vizave për personat që punojnë në emër të kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA në Facebook.
Disa ditë më parë, në një postim në rrjetin social X, Rubio theksoi se administrata Trump vazhdon të bëjë vendin dhe rajonin më të sigurt dhe më të fortë.
“Sot, po ndërmarr hapa për të vendosur kufizime vizash ndaj 75 individëve, të cilët janë anëtarë familjesh ose bashkëpunëtorë të afërt të personave të lidhur me Kartelin Sinaloa, të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059. Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të mbrojë amerikanët nga narkoterroristët e rrezikshëm dhe drogat vdekjeprurëse”, shkroi Marco Rubio.
