SHBA synon të kufizojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë

Analiza: Pse SHBA synon të kufizojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përshkallëzuar ndjeshëm retorikën e tij kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) në Hagë, një qasje që mund të ketë pasoja serioze për vetë gjykatën.

Në Hagë operojnë dy gjykata të mëdha ndërkombëtare, të cilat shpesh ngatërrohen:

  • Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e Kombeve të Bashkuara, e cila merret me mosmarrëveshjet midis shteteve dhe ndodhet në Pallatin historik të Paqes.
  • Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), e themeluar në vitin 2002, e cila merret me ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krime lufte dhe ndodhet në një ndërtesë moderne prej xhami dhe betoni.

Ndryshe nga OKB-ja, ku anëtarësohen 193 shtete, në GJPN marrin pjesë vetëm 125 vende. Mes shteteve të cilat nuk janë anëtare përfshihen SHBA-ja, Rusia dhe Kina, si edhe disa vende nga Azia dhe Afrika e Veriut.

Kur Marco Rubio kërcënoi së fundmi se do ta shkatërronte gjykatën “tullë pas tulle”, ishte e qartë se ai po i referohej GJPN-së. Ministria e tij renditi masat që SHBA po shqyrton kundër gjykatës, mes të cilave:

  • Ndalimi i hyrjes në SHBA për punonjësit e GJPN-së.
  • Zgjerimi i sanksioneve kundër gjykatës dhe organizatave të lidhura me të.
  • Rishikimi më i rreptë i marrëdhënieve me vendet që, duke qenë përfituese të ndihmës amerikane, nuk e hedhin poshtë autoritetin e GJPN-së.

SHBA-ja ka ushtruar edhe më parë presion ndaj gjykatës, por toni i ri ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare. Andreas Schüller, bashkëdrejtues i programit për krimet ndërkombëtare dhe përgjegjësinë juridike në Qendrën Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR), thekson se SHBA-ja dhe Marco Rubio po publikojnë një strategji të vjetër të ushtrimit të presionit diplomatik ndaj shteteve të tjera. Sipas tij, fakti që tashmë flitet hapur për një “fushatë” tregon një strategji më të gjerë, e cila synon të përfshijë edhe shtete të tjera jo-anëtare të GJPN-së.

Një gjykatë nga e cila askush nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë

SHBA-ja nuk është anëtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, çka do të thotë se veprat e kryera në territorin amerikan nuk mund të gjykohen në Hagë. Megjithatë, GJPN-ja ka juridiksion edhe kur krime të rënda dyshohet se janë kryer në territorin e një shteti anëtar. Mbi këtë bazë janë lëshuar urdhër-arrestet kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Ekzistenca e GJPN-së mbështetet në mësimet e nxjerra nga historia. Proceset e Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore dhe tribunalet për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe për gjenocidin në Ruandë gjatë viteve ’90 konsiderohen si zanafilla e së drejtës penale ndërkombëtare dhe forcuan kërkesën për një institucion të përhershëm ndërkombëtar.

Juristi Kai Ambos nga Universiteti i Göttingenit nënvizon se bëhet fjalë për çështjen themelore të përgjegjësisë, qoftë në Ukrainë, Iran apo Gaza, dhe se nuk mund të ndodhë që krime kaq të rënda të kryhen dhe përgjegjësit kryesorë, veçanërisht udhëheqësit politikë, të mbeten pa u ndëshkuar.

A duhet të përfundojnë qytetarët amerikanë në bankën e të akuzuarve?

Në një deklaratë video, Marco Rubio pretendoi se GJPN-ja kërcënon sistemin juridik amerikan duke i vendosur “oficerët e kontrollit kufitar që largojnë kriminelët e dhunshëm nga vendi ynë” dhe “ushtarët amerikanë që rrezikojnë jetën për të mbrojtur vendin tonë” në “mëshirën e gjyqtarëve të huaj mijëra kilometra larg”.

Aktualisht nuk ka asnjë procedurë penale para GJPN-së kundër shtetasve amerikanë. Veprimet e agjentëve të emigracionit dhe kufirit zhvillohen kryesisht brenda SHBA-së, ku gjykata nuk ka juridiksion. Megjithatë, situata është ndryshe për vrasjet e synuara të trafikantëve të dyshuar të drogës në Karaibe, të cilat ish-prokurori i GJPN-së, Luis Moreno Ocampo, i cilësoi nëntorin e kaluar si krime të mundshme kundër njerëzimit.

Si mund të mbrohet gjykata nga ky presion?

Kai Ambos druhet se mund të shtohet i ashtuquajturi “efekt ftohës” (chilling effect), duke bërë që prokurorët e GJPN-së të jenë më të kujdesshëm ose më të butë ndaj të dyshuarve amerikanë. Ai përmend gjithashtu fenomenin e “mbipërputhshmërisë” me sanksionet, ku kompanitë jashtë SHBA-së mund të vendosin të mos bashkëpunojnë më me gjykatën, nga frika se kjo mund të dëmtojë biznesin e tyre në Amerikë.

Që nga viti i kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj GJPN-së dhe disa gjyqtarëve të saj. Si reagim, gjykata është përpjekur të bëhet më pak e varur nga SHBA-ja, duke zëvendësuar, për shembull, disa aplikacione të Microsoft-it me një produkt gjerman me kod të hapur.

Mbështetja nga Evropa

Andreas Schüller mendon se shtetet anëtare mund ta ndihmojnë gjykatën përmes shumë veprimeve të vogla. Ai thekson se kur fuqitë e mesme dhe shtetet më të vogla bashkohen për të mbështetur institucionet ndërkombëtare dhe për t’i rezistuar presionit amerikan, kjo është shumë e rëndësishme.

Pas kërcënimeve të Rubios, Bashkimi Evropian u rreshtua menjëherë në mbështetje të GJPN-së. Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, doli në mbrojtje të saj, duke deklaruar se gjykata e bën botën “më të sigurt dhe më të drejtë”.

Interesant është fakti se në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, edhe Senati amerikan kishte mbajtur një qëndrim të ngjashëm. Në një rezolutë, GJPN-ja u vlerësua si “një tribunal ndërkombëtar që synon të mbrojë sundimin e ligjit”, ndërsa hetimet kundër Rusisë u përshëndetën. Një nga bashkësponsorët e asaj rezolute ishte pikërisht Marco Rubio, sot sekretar i Shtetit i SHBA-së.

Scroll to Top