Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar autorizimin e operacioneve të fshehta dhe potenciale vdekjeprurëse të CIA-s në Venezuelë, duke shtuar se po shqyrtonte edhe mundësinë e sulmeve tokësore ushtarake. Këto veprime shënojnë një përshkallëzim të ndjeshëm të presionit të Uashingtonit për të larguar Presidentin Nicolas Maduro nga pushteti.
Venezuela, përmes Ministrit të Jashtëm Ivan Hill, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar deklaratat e Trump si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një përpjekje për të legjitimuar një operacion “ndryshim regjimi” me qëllim sekuestrimin e pasurive të naftës së vendit. Venezuela ka njoftuar se do t’ia paraqesë protestën e saj Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sipas raportimeve të New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë, një dokument i klasifikuar i administratës Trump autorizon operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë dhe Karaibe me qëllim rrëzimin e Maduros. Uashingtoni akuzon qeverinë venezueliane për përfshirje në kartele droge dhe ofron një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që çon në arrestimin e Maduros, akuza të cilat Venezuela i mohon kategorikisht.
I pyetur për miratimin e operacioneve të CIA-s, Trump përmendi imigrimin ilegal dhe trafikun e drogës si dy arsye kryesore, duke pretenduar se Venezuela po dërgonte ish-të burgosur në SHBA, pa paraqitur prova.