“`html
Shehaj thyen heshtjen pas ngjarjes në Kuvend dhe përplasjes me Ballën
TIRANË – Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka folur për incidentin e ndodhur ditën e djeshme në Kuvend, ku ka marrë dokumente nga zyrat dhe gjatë largimit të tij, një punonjëse ka rënë nga shkallët teksa e ndiqte.
Në një intervistë për News 24, Shehaj deklaroi se dokumenti sekret nuk ka dalë jashtë ambienteve të Kuvendit dhe se nuk ka kryer asnjë krim. Ai shtoi se për të, çdo ditë është një luftë për të drejtat e tij në Kuvend, duke theksuar se dokumenti që mori ishte e drejta e tij si deputet.
“Ne jemi në luftë, në luftë të përditshme, në luftë me të drejtën e fjalës, në luftë edhe për të hyrë në Kuvend. Të marrësh apo edhe të rrëmbesh një të drejtë është krim? Nëse po, unë kam kryer një krim dhe do ta bëj. Unë ftoj shqiptarët që të rrëmbejnë të drejtat e tyre”, u shpreh Shehaj.
Ai akuzoi qeverinë se kërkon deputetë kukulla, të cilët flasin vetëm kur ua thonë Rama dhe Balla. “Po luftoj kundër padrejtësive dhe po rrëmbej të drejtat e mia dhe për të nxjerrë zbuluar aferat. Këta duan deputetë kukulla, që rrinë aty dhe vendos Balla e Rama kur të flasin. Është e drejta ime të njihesha me atë dokument dhe të kisha kohë të mjaftueshëm për ta lexuar, informuar dhe për ta votuar. Këta e trajtojnë parlamentin si paçavure”, tha deputeti.
Shehaj foli gjithashtu për përplasjen me Taulant Ballën, pas akuzave për vila në Itali. Ai deklaroi se nuk beson se ka deputetë në parlament që kanë deklaruar në mënyrë të pastër gjithçka posedojnë. “Gjithçka që kam, e kam me punë të ndershme. Janë thjesht kërcënime, të llojit që ‘do merremi me ty’. Kërcënime që vijnë nga njerëz që janë futur në politikë me xhepat bosh dhe janë bërë milionerë falë politikës. Janë kërcënime që nuk kanë për të arritur asgjë. Taulanti del, nxjerr dy letra dhe thotë do shkojë në SPAK. Po le të shkojë në SPAK, unë skam asgjë për të fshehur. Çdo gjë e kam transparente. Nuk kam çfarë të fsheh. Fëmijët e mi kanë një shtëpi në plazh ku shkojnë dhe unë e them se cila është. Kurse këta ke 140 deputetë janë të gjithë me një shtëpi dhomë e kuzhinë, këta nuk vënë në plazh, nuk kanë makina, edhe ato që kanë i kanë me kredi, disa prej tyre kanë bashkëshortet e pasura. Kjo është moda që kanë gjetur të justifikohen. Merret Balla me pronat e mia. Po Balla nuk e di që Rama ka një vilë 1000 metra katrorë, 4 godina dhe ka deklaruar që vlejnë 400 mijë euro?! Po nuk e dinë të gjithë që Balla ka deklaruar një apartament me vlerë qesharake ndërkohë që jeton në një nga kullat më të shtrenjta të Tiranës. E dinë të gjithë se çfarë jete bën Taulant Balla”, tha Shehaj.
Sipas tij, Balla dhe Rama i përkasin të kaluarës, ndërsa shqiptarët duhet të mendojnë për të ardhmen.
“Nuk duhet të ndikohemi as nga kërcënimet se gjoja do më çojnë në SPAK, as nga kërcënimet se gjoja do më gjejnë mua, venë dhe kërcënojnë familjarët. Nuk ka shans. Këta venë të gjithë përballë SPAK dhe janë të terrorizuar mua me vërsulin Ulsi Manjën dhe Sekretariatin e Etikës”, deklaroi ndër të tjera Shehaj.
“`
