SHIQK alarmon: Produktet e qumështit nga importi po zëvendësojnë ato vendore
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka shprehur shqetësimin për gjendjen e sektorit vendas të qumështit. Ajo paralajmëron se rritja e importeve dhe konkurrenca e çmimeve mund të dëmtojnë seriozisht fermerët dhe përpunuesit kosovarë.
Në një njoftim publik, SHIQK thekson se sektori i qumështit është zhvilluar ndër vite falë investimeve private, subvencioneve publike dhe punës së mijëra fermerëve e përpunuesve. “Pikërisht në momentin kur ky sektor kishte arritur një nivel ku mund të konkurronte më seriozisht me importin, u përballëm me një valë dezinformatash, interpretime të paqarta dhe masa që goditën rëndë prodhuesin vendor,” thuhet në reagimin e shoqatës.
Sipas SHIQK-së, ndikimi i kësaj situate po reflektohet edhe në treg, ku produktet vendore po humbin hapësirë përballë produkteve të importuara. “Rezultati sot shihet qartë në raftet e marketeve: produktet kosovare zvogëlohen, ndërsa hapësira e tyre po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga importi,” thuhet në njoftim.
Shoqata e Industrisë së Qumështit e konsideron veçanërisht shqetësues faktin se një litër qumësht i importuar mund të shitet në pakicë për 0.49 euro, ndërsa prodhuesit vendorë përballen me kosto të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të freskët. “Po bëhet më lirë ta blesh qumështin e gatshëm në supermarket sesa ta grumbullosh nga fermeri vendor,” paralajmëron SHIQK.
Sipas saj, situata nuk paraqet vetëm një problem të konkurrencës mes kompanive, por prek drejtpërdrejt fermerët, industrinë përpunuese, vendet e punës dhe sigurinë ushqimore të vendit. “Kjo nuk është më vetëm çështje e konkurrencës mes kompanive. Është çështje e mbijetesës së fermerit, industrisë përpunuese, vendeve të punës dhe sigurisë ushqimore të Kosovës.”
SHIQK paralajmëron se nëse ky trend vazhdon, pasojat mund të jenë afatgjata, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e fermave dhe investimeve në industrinë vendore të qumështit. “Nëse vazhdohet me këtë trend, dëmi nuk do të matet vetëm me humbjet e sotme të qumështoreve. Nesër mund të mos kemi më fermerë që ia vlen të mbajnë lopë, industri që ia vlen të investojë dhe prodhim vendor që mund të konkurrojë,” thuhet në njoftim.
Shoqata kërkon konkurrencë të drejtë dhe import të ligjshëm, por njëkohësisht kërkon rregulla të barabarta dhe institucione që, sipas saj, duhet ta mbrojnë prodhimin vendor nga praktikat që mund ta rrezikojnë ekzistencën e tij. “Sepse kur shuhet fermeri dhe prodhuesi vendor, raftet mund të mbeten plot – por ekonomia e vendit mbetet bosh.”
