Shitjet e Pronave në Tiranë: Rritje 9% në 2025

Shitjet e pronave në Tiranë, transaksionet u rritën me 9% në vitin 2025

Pas një periudhe ngadalësimi prej dy vjetësh, tregu i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rikthim të aktivitetit gjatë vitit 2025. Numri i kontratave të shitblerjes së pronave është rritur, ndërsa Tirana vazhdon të zërë peshën kryesore të transaksioneve në nivel vendi.

Sipas të dhënave të NAREA për “Monitor”, në total, në vitin 2025, numri i kontratave të shitblerjes së pasurive të paluajtshme të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) arriti në 36,027. Krahasuar me vitin 2024, ky numër u rrit me 15%.

Edhe tregu i Tiranës ka shënuar rritje. Në vitin 2025, numri i transaksioneve të shitblerjes së pronave u rrit me 9% në raport me vitin 2024. Shitjet e pronave në Tiranë përbënë rreth 37% të kontratave të shitblerjes në të gjithë vendin.

Të dhënat për gjashtë vitet e fundit tregojnë se tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme ka kaluar në disa faza:

  • Në vitin 2020, në total në të gjithë vendin u regjistruan 22,986 transaksione.
  • Në vitin 2021, numri u rrit në 33,156, duke shënuar një rritje prej 44% krahasuar me vitin paraardhës.
  • Rritja vijoi edhe në vitin 2022, kur tregu arriti nivelin më të lartë me 37,900 transaksione.

Pas këtij kulmi, aktiviteti i shitblerjes për pasuritë e paluajtshme shënoi rënie. Për vitin 2023, numri i kontratave të regjistruara në ASHK ra me 6% krahasuar me vitin 2022. Ngadalësimi vijoi edhe gjatë vitit 2024, me një rënie prej 13% të totalit të kontratave krahasuar me vitin 2023.

Situata paraqitet e ngjashme edhe për tregun e Tiranës. Në vitin 2023, kur nisi rënia e numrit të përgjithshëm të transaksioneve, në kryeqytet numri i tyre ra me 12% krahasuar me 2022. Rënia vijoi edhe gjatë vitit 2024 në Tiranë, ku numri i kontratave të regjistruara në ASHK ra me 20% krahasuar me 2023.

Ekspertët vlerësojnë se tregu real i shitjeve të pasurive të paluajtshme është më i lartë sesa numri i kontratave të shitblerjes së pronave të regjistruara në ASHK. Kjo për shkak se shumica dërrmuese e pronave në Tiranë shiten me kontrata porosie në fazat e para të ndërtimit. Në këto raste, blerësi lidh një kontratë porosie me ndërtuesin dhe kryen pagesa me këste përpara përfundimit të objektit dhe pajisjes së tij me certifikatë pronësie. Në disa raste, siç raportojnë noterët, blerësit kanë paguar edhe 100% të vlerës së apartamentit para përfundimit të ndërtimit.

Edhe pse ekziston detyrimi ligjor, jo të gjithë porositësit i regjistrojnë kontratat e porosisë në Kadastër, gjë që krijon pasiguri për shitjet e dyfishta të pronave. Noterët shpjegojnë se përgjegjësia e parë ligjore për regjistrimin e lejes së ndërtimit në kadastër i takon sipërmarrësit. Më pas, porositësi i apartamentit ose blerësi është i detyruar ta regjistrojë pronën e porositur nëpërmjet noterit në kadastër. Në rast vonese në regjistrim, penaliteti arrin deri në 500 lekë në ditë.

“Çdo kontratë porosie duhet të regjistrohet në Kadastër, në mënyrë që të shmanget mundësia e lidhjes së më shumë se një kontrate porosie për të njëjtën pronë, siç ka ndodhur në të kaluarën kur një regjistrim i tillë nuk ishte i detyrueshëm”, pohon noteri Fatmir Laçej.

Scroll to Top