Shitjet me pakicë rriten falë karburanteve në tremujorin 3

Tregtia me pakicë po mbështetet nga shitjet e karburanteve

Rritja e numrit të automjeteve në qarkullim dhe sezoni i ngarkuar veror, gjatë të cilit turistët udhëtojnë në të gjithë vendin, duke përdorur si mjete publike ashtu edhe automjete me qira, kanë stimuluar aktivitetin e tregtisë me pakicë në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT:

  • Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i llogaritur bazuar në deflatimin e indeksit të shitjeve në vlerë, arriti 136,7, duke shënuar një rritje prej 6,0% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024.
  • Ky tregues, i përshtatur sezonalisht, është rritur 1,4% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Rritja ka qenë më e ndjeshme në tregtimin e karburanteve. INSTAT njoftoi se në grupin “Tregti hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur me 8,6% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Ndërkohë, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë shitjen e hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e tretë të vitit 2025 është rritur me 5,2% kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2024.

Sipas INSTAT, në ndryshimin vjetor prej +6,0% në tregtinë me pakicë (tremujori i tretë 2025 ndaj tremujorit të tretë 2024), kontributi i grupeve ka qenë si më poshtë:

  • “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +1,8 pikë përqindje.
  • Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me +1,8 pikë përqindje.
  • Grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me +2,4 pikë përqindje.

Ndryshimet tremujore

INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë të vitit 2025:

  • Volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 1,3% krahasuar me tremujorin paraardhës.
  • Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara”, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, është rritur me 3,4% kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Scroll to Top