Shkarkim nga Kadastra e Vlorës: Pse u largua Genc Deromemaj?

Genc Deromemaj, ish-kryetar i PD-së, largohet nga drejtimi i Kadastrës së Vlorës, ku u emërua nga Rama në qershor.

Publikuar më 04.11.2025 nga shekulli_admin

Genc Deromemaj është shkarkuar nga posti i drejtorit të Kadastrës së Vlorës, vetëm katër muaj pas emërimit të tij. Sipas informacioneve, së bashku me Deromemaj është shkarkuar edhe drejtori i Kadastrës së Sarandës.

Mësohet se Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka vendosur shkarkimin e drejtorit të Vlorës, Genc Deromemaj, për shkak të performancës së dobët në trajtimin e aplikimeve të qytetarëve dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara nga ky institucion. Gjithashtu, Goxhobelli ka miratuar shkarkimin edhe të drejtorit të Kadastrës në Sarandë, Ilir Çibuku, me të njëjtin motivacion.

Zyrat e Kadastrës në Vlorë dhe Sarandë janë dy drejtori që përpunojnë një volum të lartë shërbimesh dhe kanë interes të veçantë, sidomos për shkak të pronave në zonat bregdetare me potencial të zhvillimit të lartë.

Aktualisht, në këto drejtori janë emëruar përkohësisht persona të brendshëm në pozicionet drejtuese, deri në caktimin e drejtorëve të rinj. Deromemaj, i cili më parë ka qenë kryetar i Partisë Demokratike në Vlorë, u emërua në krye të institucionit më 24 qershor 2025. Ai ishte anëtar i Partisë Demokratike që nga viti 2002 dhe për disa vite drejtoi degën e PD-së në qarkun e Vlorës.

Scroll to Top