Presidentja Osmani mandaton Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar Qeverinë e re të Kosovës. Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit, e cila duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.
Në një konferencë për media, Osmani u shpreh se zhvilloi takime edhe me krerët e partive të tjera më të mëdha, të cilët i thanë se nuk dëshirojnë të propozojnë mandatar. Ajo sqaroi se Kushtetuta parasheh që nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, duke mos pasur hapësirë për të refuzuar emërimin e tij.
Sipas Osmanit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese përcaktojnë se nëse pas dy tentimeve nuk zgjidhet Qeveria e Kosovës, “atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”.
“Është interes i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëhen çdo përpjekje e mundshme që të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në të mirë të qytetarëve”, tha Osmani, duke përmendur votimin e zgjatjeve buxhetore apo edhe të një buxheti të ri për vitin 2026, si dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Osmani u shpreh “shpresëplotë” se partitë do të merren vesh për miratimin e Planit të Rritjes, buxhetit apo zgjatjeve buxhetore. “Si presidente kam vlerësuar se është në interes të Kosovës të provohet, të krijohet Qeveria, që këto vendime të mos presin edhe disa muaj të tjerë”, tha ajo.
Presidentja Osmani theksoi se LVV-ja e ka bindur se ka gjasa që ta formojë ekzekutivin, ndërkohë sqaroi se garanci nuk i ka kërkuar, pasi nuk kërkohet me Kushtetutë. Ajo shtoi se nëse do të kishte dy kandidatë, do t’i duhej të bindet se cili nga ta ka më shumë gjasa për formimin e ekzekutivit.
“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha e para e shtetit.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, më herët gjatë ditës, e ka propozuar Konjufcën për mandatar për Qeverinë e re të Kosovës, duke i dërguar emrin e tij presidentes për mandat. Konjufca u shpreh se dëshiron bashkëpunim me partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, por jo koalicion. Ai shtoi se me zgjedhjen e një qeverie të re të udhëhequr nga ai, do të shmangej mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në dhjetor, duke qenë se në prill duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit, në mënyrë që vendi të mos ketë dy palë zgjedhje për një periudhë të shkurtër.
Konjufca theksoi se qeveria e tij do të miratonte buxhetin e ri të vendit, do të ratifikonte marrëveshje për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian dhe do të adresonte çështje të tjera urgjente.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se nuk e sheh si “mundësi teorike” mundësinë e ndonjë koalicioni për Qeverinë me partitë e tjera shqiptare, për shkak të “mosbashkëpunimit të tyre”.
“Është ndërtuar urrejtje hibride ndaj meje nga disa elementë të opozitës. Tash nuk jam unë. Le ta dëshmojnë se interesi i shtetit është mbi interesin partiak”, tha Kurti gjatë një konference për media mbrëmjen e 4 nëntorit.
Partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që Osmani të shpallë zgjedhje të reja. Qëndrim të njëjtë kishin shprehur edhe pas takimit me Osmanin më 31 tetor, takim ku LVV-ja kërkoi disa ditë kohë në tentim për të formuar Qeverinë e re.
Albin Kurti, si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, më 26 tetor dështoi të merrte mbështetjen e Kuvendit për formimin e ekzekutivit. Partia e tij i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja fitoi 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë, ndërsa Nisma Socialdemokrate fitoi tre deputetë, garoi në listë të përbashkët me AAK-në. Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një ulëse ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i fituan përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.
