Shkarkimi i Veliajt, Qeveria i drejtohet Kushtetueses

Këshilli i Ministrave i ka dorëzuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese parashtrimet që justifikojnë shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Në prapësimet e depozituara, Qeveria argumenton se shkarkimi i zotit Veliaj është një akt individual dhe si i tillë duhet të trajtohet nga Gjykata Administrative. Qeveria thekson se zoti Veliaj nuk mund t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, pasi ai u shkarkua nga detyra bazuar në ligjin për qeverisjen vendore, për shkak të mosparaqitjes në detyrë për një periudhë më shumë se tre muaj.

Qeveria pretendon se nuk mund të neglizhonte vullnetin politik dhe ligjor të anëtarëve të këshillit bashkiak dhe, në këtë aspekt, nuk kishte asnjë alternativë tjetër veçse të finalizonte procedurën e shkarkimit të kryebashkiakut.

“Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë. Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij nuk mund të vihet në dyshim. Po kështu nuk mund të vihet në dyshim shqetësimi i këshilltarëve bashkiakë për dëmin e rëndë që i shkakton nevojave të qeverisjes së kryeqytetit dhe interesit të qytetarëve të Tiranës, mungesa e zgjatur në detyrë e Kryetarit të Bashkisë”, thekson qeveria.

Në dokumentin e dorëzuar në Kushtetuese, qeveria thekson se zoti Veliaj nuk u shkarkua nga Këshilli i Ministrave për shkaqe të rënda në detyrë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe, në atë moment, automatikisht akti do të pezullohej sipas nenit 115 të Kushtetutës.

“Jo rastësisht, Kushtetuta, e cila nuk lejon vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese për akte me karakter individual, në rastin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë, që është gjithashtu akt me karakter individual, ka përcaktuar shprehimisht jo vetëm të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por ka përcaktuar edhe pezullimin automatik të aktit, në rastin kur bëhet ankimi”, thekson qeveria.

Një ditë më parë, ishte Bajram Begaj ai që kërkoi nga gjykata heqjen e pezullimit mbi dekretin e tij që caktoi 9 nëntorin si datë për zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë Tiranë.

Zoti Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej shkurtit 2025 dhe akuzohet për 13 vepra penale, iu drejtua gjykatës pasi e konsideron shkarkimin nga detyra si antikushtetues.

Scroll to Top