Shkatërrim monumentesh në Butrint, Tare akuzon Ministren Kumbaro

Studiuesi Tare akuzon Ministren Kumbaro për shkatërrimin e monumenteve në Butrint dhe falsifikim dokumentesh

Studiuesi Auron Tare ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me ndërhyrjet pranë Parkut Kombëtar të Butrintit. Ai akuzon Ministrinë e Kulturës dhe drejtuesit e arkeologjisë për shkatërrimin e një vendbanimi antik dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare, duke hapur kështu rrugën për ndërtimin e një resorti privat.

Sipas Tares, këto ndërhyrje po kryhen vetëm pak dhjetëra metra larg “Murit të Demës”, një vepër fortifikuese unike e shekullit IV para Krishtit. Ai nënvizon se Ministria e Drejtuar nga Mirela Kumbaro ka minimizuar rëndësinë e kësaj zone, duke e cilësuar “një pikëz të vogël”, ndërkohë që në realitet bëhet fjalë për një nga segmentet më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike shqiptare.

“Jo vetëm u shkatërrua një vendbanim antik, por u falsifikuan edhe dokumentat dhe raportet e gërmimeve të mëparshme,” shkruan Tare.

Tare i referohet edhe pamjeve të transmetuara nga Zëri i Amerikës, të cilat sipas tij tregojnë qartë shkallën e ndërhyrjeve. Ai ka krahasuar pamjet me ato të bombardimeve në Gaza, duke shprehur habitin se si Butrinti, një vend i trashëgimisë botërore, po trajtohet në këtë mënyrë.

Ai shton se ndërhyrja po ndodh në një zonë të mbrojtur, pjesë e kufijve të Parkut Kombëtar, dhe se heshtja e institucioneve është po aq alarmante sa edhe shkatërrimi në vetvete.

Në përfundim, Tare përdor një referencë letrare nga poezia e Kavafit për të ilustruar ironinë e situatës:

“Muri i Demës priti 2300 vjet barbarët dhe ata nuk erdhën kurrë. Sot, kur barbarë nuk ka, e rrëzojmë vetë.”

Postimi i plotë i studiuesit Auron Tare:

“Pikëza e Vogël” e Ministres Kumbaro. Jo vetëm u shkatërrua një vendbanim antik por u falsifikuan edhe dokumentat dhe raportet e germimeve te mëparshme. Në këtë menyrë Ministria e znj Kumbaro i hapi rrugë ndertimit të resortit me ndihmën e drejtuesve te Fakultetit të Arkeologjisë. Vetëm 50 m nga kjo Kullë Mesjetare gjendet Muri i Demës, një vepër fortifikuese e shek IV p.k unikal në ndërtimet fortifikuese antike.

Më poshtë një shkrim i botuar dy vite të shkuara:

“Muri i Demës”

Murin e Demës nuk e prishën as romakët, as hunët, as ostrogothët, gotët, sllavët. E rrëzuam ne.

“Duke pritur barbarët”

Ç’po presim ne të mbledhur te ky shesh?

Barbarët do të mbërrijnë sot këtu.

Përse Senati rri pa punë sot,

Dhe senatorët ligjvënës ç’presin?

Barbarët ligjet krejt do bëjnë vetë.

Pse befas ky trazim tejpërtej sheshit,

(Shiko fytyrat si u ngrysën krejt),

Pse rrugë e sheshe u shkretuan befas,

Dhe njerëzit në shtëpi kthejnë plot merak?

Poezia e famshme e poetit grek Cavafi, duket sikur të jetë shkruar për një nga monumentet më epike në tokën shqiptare. Murin e Demës, një vepër monumentale e ndërtuar diku më shumë se 2300 vjet të shkuara midis Sarandës së sotme dhe Butrintit Antik. Një Mur i ndërtuar me gurë të mëdhej sjellë nga guroret antike u ngrit pikërisht për të mbrojtur Qytetin e Butrintit.

Në pikën më të ngushtë ku Liqeni i famshëm i Pelodesit Antik (Liqeni i Butrintit) lidhej me detin, banoret e ngritën këtë vepër monumentale ku për 2300 vjet me rradhë qëndroi atje kryelartë për të ndalur hordhitë e barbarëve ndaj qytetërimit. Nuk e prishën as romakët, as hunët, as ostrogothët, gotët, sllavët, pechenegët, avarët, më vonë Normanët apo edhe më vonë otomanët. Muri i Demës i rezistoi kohës duke mbritur deri më sot i patrazuar dhe i paprishur nga asnjë hordhi barbare. Për këtë arsye u përfshi në Hartën e kufinjve të Parkut Kombëtar të Butrintit. Deri më sot.

Shikoni pamjet e transmetuara nga Zëri i Amerikës mbi atë që po ndodh vetëm 100 metra nga ky Monument madhështor. Për momentin mu duk sikur Zëri i Amerikës kishte ngatërruar kronikën duke treguar bombardimet në Gaza. Po jo jo, Zëri i Amerikës ishte i qartë. Pamjet e transmetuara tregonin se çfarë po ndodhte në Pikën e Vockël të Ministres së Kulturës Kumbaro e cila i tregoi jo vetëm kolegëve të saj deputetë, por edhe publikut se nuk kishte asgjë të keqe që në emër të zhvillimit të hante pak nga kufinjtë e Butrintit.

Askush nuk foli, kolegët deputetë ulen kokën, fundi i fundit ku ishin barbarët? Muri i Demës kishte pritur me kot një mori shekujsh dhe barbarët nuk ishin dukur gjëkundi. Përse i shërbente civilizimit ky Mur?

E ashtu siç këndon Cavafi:

Sepse ra nata dhe barbarët s’erën.

Dhe nga kufijtë dikush mbërrijti e tha:

Se asgjëkund barbarë atje s’ka.

Po vallë tani ç’do bëjmë ne pa barbarët?

Scroll to Top