Organizatë Kriminale Dënohet me 44 Vjet Burgim

Gjashtë anëtarë të një organizate kriminale dënohen me 44 vjet burg

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten, më 21 nëntor, deklarimin fajtor të 6 nga 11 të pandehurve të dërguar për gjykim si pjesë e një grupi të përfshirë në trafik droge dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve. Grupi përfshinte edhe tre oficerë policie.

Mes gjashtë të dënuarve është njëri nga tre oficerët e policisë, Dedan Gjoni. Ai u shpall fajtor për sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve, grup i strukturuar kriminal, trafikim të narkotikëve dhe shpërdorim detyre. Gjykata e dënoi Gjonin me 12 vjet burgim, të cilat, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, mbeten 8 vjet.

Me 8 vjet burgim u dënuan dhe të pandehurit Besim Murati e Albert Prenga, të akuzuar për trafikim të narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal.

I pandehuri Ismail Zeneli u deklarua fajtor për trafik droge, grup të strukturuar kriminal dhe sigurim të kushteve e mjeteve për të kryer vrasje. Në bashkëpunim dhe duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 10 vjet heqje lirie.

Bujar Ajeti Gremizi u shpall fajtor për sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje në bashkëpunim, grup i strukturuar kriminal, përkrahje të autorit të krimit dhe armëmbajtje pa leje. Gjykata vendosi dënimin e tij përfundimtar me 6 vjet burg.

I pandehuri Ardjan Cenaj Dedja u dënua përfundimisht me 4 vjet burg për sigurim të kushteve për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal.

Organizata ku bëjnë pjesë këta gjashtë të dënuar akuzohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, ku çdo anëtar ka pasur role dhe detyra specifike, nga financimi dhe porositja, deri te transporti dhe shpërndarja e lëndëve narkotike.

Mes 11 të pandehurve për të cilët SPAK kërkoi gjykimin në tetor të vitit të kaluar, ishte edhe ish-funksionari i policisë Erzen Breçani.

Scroll to Top