Avokati i Popullit: Mënyra e ndalimit të Metës ishte në kundërshtim me ligjin
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka deklaruar në Kuvend se gjatë hetimit të institucionit që ajo drejton janë konstatuar shkelje nga ana e policisë në lidhje me mënyrën se si u krye arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta.
“Kemi gjetur disa shkelje nga policia në rastin e arrestimit të Metës. Mënyra e ndalimit është bërë në kundërshtim me ligjin, sepse nuk është ruajtur dinjiteti i z. Meta. Jo vetëm në rastin e Metës, por për çdo njeri, do të kishte shkelje nëse do të ndalohej në atë mënyrë. Nuk kishte asnjë justifikim nga ana e policisë për përdorimin e forcave speciale,” – u shpreh mes të tjerash Ballanca.
Ish-presidenti u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar në një operacion të forcave speciale, të urdhëruar dhe të mbikëqyrur drejtpërdrejt nga prokurori i SPAK, Altin Dumani. Megjithëse ishte vetë ai që urdhëroi dhe ndoqi operacionin e forcave speciale, disa ditë më parë, Dumani tha në parlament se nuk kishte qenë dakord me këtë operacion.
