Shoqatat që përfaqësojnë interesat e pushtetit vendor, përfshirë kryetarë bashkish, kanë shprehur kundërshtime ndaj projektligjit të ri të qeverisë për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”. Ky projektligj parashikon një menaxhim fundor të mbetjeve nga një agjenci shtetërore që do të funksionojë si shoqëri aksionere.
Përfaqësuesit vendorë dhe ekspertë i kanë kërkuar Kuvendit të shqyrtojë mundësinë e ndryshimeve në disa nene të projektligjit, të cilat, sipas tyre, bien ndesh me ligjin e vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, kërkohet qartësimi i dispozitave për zbatimin në praktikë, pasi ato ngarkojnë me barrë financiare bashkitë.
Adelina Farrici, drejtore ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, ka vlerësuar domosdoshmërinë e një ligji të ri, por ka theksuar nevojën që deputetët të marrin parasysh rekomandime për të mos cenuar parimet e ligjeve organike. Ajo ka sjellë në vëmendje se ligji për vetëqeverisjen vendore u jep bashkive përgjegjësi për menaxhimin e mbetjeve në territorin e tyre dhe se ka pasur bashki të suksesshme në këtë fushë. Prandaj, kërkohet që të mos trajtohen të gjitha bashkitë në mënyrë të njëjtë.
Farrici ka kërkuar gjithashtu që bashkitë të jenë pjesë vendimmarëse në Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), duke pasur parasysh që disa prej tyre posedojnë landfill-e dhe inceneratorë. Ajo ka propozuar një shtesë në nenin 22, që të mundësojë përfshirjen e bashkive si aksionere me përqindje dhe me përfaqësim vendimmarrës në shoqërinë aksionere. Për më tepër, kërkohet garanci ligjore për përballimin e kostove financiare, duke propozuar që këto kosto të përballohen nga buxheti i shtetit nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar.
Juliana Mema, kryebashkiake e Dimalit, ka ngritur shqetësimin për zbatueshmërinë e ligjit për shkak të kostove të larta. Ajo ka kërkuar mekanizma zbatues dhe ka propozuar një periudhë tranzitore, duke paralajmëruar se përndryshe do të rriten tarifat për komunitetin me impakt social. Mema ka pyetur sesi do të përballen kostot shtesë për promovimin e fushatave sensibilizuese, ndarjen në burim dhe transportin.
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, që përfaqëson kryebashkiakët e opozitës, mbështeti nevojën për një zgjidhje të re ligjore, por sugjeroi ndryshime në nismën e qeverisë. Albert Malaj, zëvendëskryetar i shoqatës, ka kërkuar që bashkitë të kenë kompetenca reale, duke e cilësuar kalimin e kompetencave tek një operator kombëtar si një hap pas. Ai shtoi se zhveshja e bashkive nga këto kompetenca cënon autonominë vendore dhe rrezikon krijimin e një modeli të centralizuar.
Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive ka paraqitur propozime konkrete për ndryshime, duke theksuar nevojën për shmangien e cënimit të kompetencave të pushtetit vendor. Ai ka sugjeruar heqjen e dispozitës ku kryetarët e njësive të vetëqeverisjes vendore bëhen përgjegjës personalisht për mbetjet, duke theksuar se përgjegjësia duhet të jetë institucionale, pra e bashkisë si institucion. Haxhimali ka propozuar gjithashtu që projektligji t’u japë bashkive të drejtën dhe përgjegjësinë për të vendosur nivelin e tarifave të shërbimeve, me një diskrecion ±30% nga metodologjia qendrore.
Projektligji i ri vjen pas reformës së prezantuar nga Kryeministri Edi Rama në shtator për menaxhimin e mbetjeve. Me këtë nismë, qeveria duket se pranon dështimin e skemës së incenerimit dhe kthehet te riciklimi si hallkë kryesore, në një skemë që pritet të rëndojë financiarisht qytetarët me rritje kostosh dhe tarifash.